Pas sulmit të mbrëmshëm me granata ndaj stacionit të Policisë së Kosovës në Zveçan, është deklaruar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Ai tha se nuk mund të flasë nëse ka të dyshuar rreth këtij incidenti, por bëri të ditur se njësitë e hetimeve të rajonit të veriut së bashku me ato të Prishtinës janë duke zhvilluar intervistime rreth këtij rasti.
Sipas tij, situata vazhdon të jetë e qetë, por delikate për shkak të zhvillimeve të shumta në veri.
“Për momentin nuk mund të themi nëse kemi dyshime për persona të caktuar, sidoqoftë në këtë moment kur në flasim këtu njësitë e hetimeve të regjionit tonë së bashku edhe me ato të Prishtinës janë duke zhvilluar intervistime, duke kryer detyrat e veta policore, duke mbledhur informacione, në mënyrë që ta ndriçojnë këtë rast… Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë, është delikate për shkak të zhvillimeve të shumta që kanë ndodhur që nga viti 2022 e deri tani”, ka thënë Elshani.