UBT News

Sulmet raketore nga Libani vrasin 5 njerëz në veri të Izraelit

Pesë njerëz janë vrarë në jug të Izraelit të enjten si pasojë e raketave të hedhura nga territori i Libanit. Katër prej të vrarëve janë punëtorë të huaj, njoftuan autoritetet izraelite.

Grupi militant Hezbollah ka kryer sulme me dronë dhe raketa nga Libani në Izrael prej se Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – e kreu një sulm në Izrael më 7 tetor 2023. Sulmi i Hamasit e nxiti luftën në Gazë.

Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Hezbollahu dhe Hamasi janë aleatë të mbështetur nga Irani.

Konflikti përgjatë kufirit mes Hezbollahut dhe Izraeli u përshkallëzua në luftë të përgjithshme muajin e kaluar, kur Izraeli nisi një valë bombardimesh në të gjithë Libanin dhe vrau udhëheqësin kryesor të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe shumicën e zëvendësve të tij. Forcat tokësore izraelite depërtuan në Liban në fillim të tetorit.

Këshilli rajonal i Metulës njoftoi për sulmin e së enjtes, pa dhënë hollësi mbi numrin ose llojin e raketave të përdorura. Po ashtu, ende nuk dihet se nga cilat shtete vijnë punëtorët e vrarë.

Metula, qyteti verior i Izraelit, i rrethuar nga Libani në tri anë, ka pësuar dëme të mëdha nga raketat. Banorët e qytetit u evakuuan në tetor 2023, dhe vetëm zyrtarë të sigurisë dhe bujq kanë mbetur atje.

Udhëheqësi i sapoemëruar i Hezbollahut, Naim Qassem, tha se grupi militant do ta vazhdojë luftën me Izraelin derisa t’i plotësohen kushtet për një armëpushim që ai i vlerëson të pranueshëm.

Rreth 1.2 milion njerëz janë zhvendosur si pasojë e konfliktit në Liban, sipas vlerësimeve të qeverisë. Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se më shumë se 2.800 njerëz janë vrarë dhe 12.900 janë plagosur që nga 8 tetori 2023, kur Hezbollahu filloi të hidhte raketa në Izrael, duke nxitur hakmarrje.

Forcat tokësore izraelite pushtuan Libanin jugor në fillim të tetorit.

Numri i të vdekurve si pasojë e luftës mbi njëvjeçare mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë e ka kaluar shifrën prej 43.000, raportuan zyrtarët palestinezë të hënën. Lufta filloi pasi militantë të udhëhequr nga Hamas sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz — kryesisht civilë — dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë./REL/

Exit mobile version