UBT News

Sulmet izraelite ndaj shkollës strehimore në Gazë vranë të paktën 46 njerëz, thonë mjekët

Sulmet izraelite vranë të paktën 46 njerëz në Rripin e Gazës, të hënën, përfshirë 31 në një shkollë të shndërruar në strehimore, e cila u godit teksa njerëzit po flinin, duke i vënë flakën gjësendeve të tyre, bënë të ditur zyrtarët lokalë shëndetësorë.

Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër militantët që operonin nga shkolla, raporton Associated Press.

Izraeli përtëriu ofensivën e tij në mars, pasi i dha fund një armëpushimi me Hamasin, grupin palestinez që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste.

Izraelitët janë zotuar se do ta marrin kontrollin e Gazës dhe se do të vazhdojnë të luftojnë, derisa Hamasi të shkatërrohet apo të çarmatoset, dhe derisa ai të kthejë 58 pengjet e mbetura – një e treta prej të cilave besohet të jenë gjallë – që u morën gjatë sulmit të 7 tetorit të 2023-tës, e cila nxiti luftën.

Izraeli nisi të lejonte futjen e një sasie të vogël ndihmash humanitare në Gatë javën e kaluar, pasi kishte bllokuar hyrjen e të gjitha ushqimeve, ilaçeve, karburanteve dhe mallrave të tjera për 2 muaj e gjysmë.

Grupet humanitare kanë paralajmëruar se banorët e Gazës mund të vdesin urie dhe thonë se ndihmat që kanë ardhur ditëve të fundit janë aspak të mjaftueshme për t’i përmbushur nevojat e mëdha.

Një sistem i ri i ndihmave, i mbështetur nga Izraeli dhe nga Shtetet e Bashkuara, por i refuzuar nga agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe nga organizatat humanitare pritet të nisë operacionet të hënën, pavarësisht dorëheqjes së amerikanit që udhëhoqi nismën, i cili tha se ajo nuk do të mund të operonte në mënyrë të pavarur.

Izraeli thotë se planifikon ta marrë kontrollin e plotë të Gazës dhe të lehtësojë atë që ai e quan emigrim vullnetar të mbi 2 milion banorëve të saj, një plan i hedhur poshtë nga palestinezët dhe nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Fushata ushtarake e Izraelit ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe ka zhvendosur brenda vendit rreth 90 për qind të popullatës së saj. Shumica prej tyre janë shpërngulur disa herë./REL/

Exit mobile version