Punëtorët shëndetësorë palestinezë kanë thënë se sulmet ajrore izraelite kanë lënë të vdekur të paktën 35 persona të dielën, si dhe kanë goditur tendat e personave të zhvendosur në qytetin jugor Rafah.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shumica e viktimave dhe të plagosurve janë gra e fëmijë.
Sulmet erdhën dy ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin t’i japë fund ofensivës së tij ushtarake në Rafah, ku më shumë se gjysma e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës ka kërkuar strehim para ofensivës ushtarake të Izraelit në fillim të këtij muaji.
Dhjetëra mijëra njerëz ndodhen ende në atë zonë ndërsa shumë të tjerë kanë ikur. Pamjet nga skena e sulmit më të madh ajror kanë shpërfaqur shkatërrimin e madh të vendit.
Ushtria izraelite e ka konfirmuar sulmin dhe ka thënë se ka goditur instalime të Hamasit – grupit palestinez të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – dhe që ka vrarë dy militantë të lartë të grupit.
Në Gazën jugore janë pezulluar ndihmat kryesisht qëkur Izraeli e nisi ofensivën në Rafah më 6 maj. Që atëherë mbi 1 milion palestinezë, shumë të zhvendosur tashmë, janë larguar nga qyteti./UBTNews/