Tre persona kanë mbetur të plagosur pasi një burrë i ka sulmuar me thikë në një stacion treni në qytetin Winterthur, pranë Cyrihut, ka bërë të ditur policia lokale të enjten.
Sipas policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 06:30, ndërsa i dyshuari, një shtetas zviceran 31-vjeçar, është arrestuar në vendin e ngjarjes. Tre viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor në spital dhe ndodhen nën kujdes mjekësor.
Mediat zvicerane raportojnë se një video e publikuar nga gazeta “Blick” tregon një burrë duke dalë me vrap nga stacioni, duke bërtitur një frazë arabe që do të thotë “Zoti është i madh”. Po ashtu, një dëshmitar okular ka thënë se autori mbante thikë dhe se njerëzit përreth janë larguar me panik.
Policia ka njoftuar se motivi i sulmit ende nuk është i qartë dhe po hetohet nga autoritetet kompetente.
