Qyteti rus i Ryazanit është sulmuar me dronë, ku sipas autoriteteve lokale një nga objektivat e mundshëm ka qenë një qendër logjistike e kompanisë Wildberries, shitësi më i madh online në Rusi.
Guvernatori i rajonit të Ryazanit, Pavel Malkov, ka bërë të ditur se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë reaguar ndaj sulmit, ndërsa në një objekt biznesi ka shpërthyer zjarr.
“Një sulm në shkallë të gjerë me dronë po zmbrapset në Ryazan. Sistemet e mbrojtjes ajrore po i përgjigjen. Një zjarr ka shpërthyer në ambientet e një kompanie”, ka shkruar Malkov.
Ai u ka bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda dhe larg dritareve, ndërsa shërbimet emergjente kanë dalë në vendngjarje.
Sipas tij, gjashtë persona janë dërguar në spital pas sulmit, ndërsa janë raportuar edhe zjarre në disa zona industriale, të shkaktuara nga rënia e mbetjeve të dronëve./A.K/
