Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përmendur sukseset e të rinjve kosovar në art dhe në sport për të cilët kanë thënë se janë në qendrën e politik-bërjes së tij. Ai ka thënë se është interes i lartë shtetëror që të jenë krah tyre drejt realizmit të potencialit të tyre.
Sipas Kurtit, preokupimi me zhvillimet politike në vend ndonjëherë ndikon që të humbet vëmendja nga rezultatet e të rinjve.
Për sukseset në art, kulturë e sport, kreu i ekzekutivit ka folur derisa e ka hapur mbledhjen e qeverisë.
“Duket se nganjëherë preokupimi me zhvillimet politike në vend na bënë që të humbet vëmendja nga rezultatet e të rinjve tanë, por qeveria jonë i mbanë ata gjithmonë në mendje, ndërsa në politikë-bërjen tonë, në qendër. Jemi përgjegjës dhe të përgjegjshëm, prandaj interesi ynë i lartë shtetëror është që të jemi krah tyre drejt realizimit të potencialit të tyre”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se muaji tetor ishte i shënuar në sport, në veçanti në arenën ndërkombëtare.
“Përveçse në art dhe në kulturë, tetori na ishte një muaj i shënuar edhe në sport, sidomos në arenën ndërkombëtare. Boksierja Donjeta Sadiku mori medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian në Budva. Nora Gjakova fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e xhudos, që u mbajt në Abu Dabi. Ndërkaq, xhudistja Loriana Kuka e mori medaljen e bronztë. Ndërsa Laurina Gashi, me medaljen e saj të artë në Kupën Evropiane për Kadete, na premtoi se e ardhmja e vendit tonë në xhudo është po aq e ndritur sa e tashmja, me të cilën tashmë jemi mësuar”, ka thënë Kurti.
Ai ka përmendur edhe suksesin e Ballkanit të Suharekës duke u kualifikuar në Ligën e Konferencave për herë të parë në historinë e futbollit të Kosovës.
Kryeministri ka folur edhe për ngjarjen më të madhe kulturore evropiane, të organizuar për herë të parë në Kosovë, Bienalja Manifesta 14.
Sipas tij, me këtë u dëshmua potenciali që ka Kosova.
“Ky ishte një edicion i suksesshëm, i cili mundësoi që për 100 ditë radhazi qytetarët tanë të shijojnë art dhe program artistik të pasur, ndërkaq pati ndikim tejet të mirë në promovimin e Kosovës në botë. Manifesta 14 Prishtina solli artistë të artit bashkëkohor ndërkombëtar, vendor në Prishtinë ndërsa përmes vizitorëve të shumtë, duke pasur ndikim pozitiv edhe në ekonominë e vendit. Transformimi i hapësirave publike dhe aktivizimi i aseteve të trashëgimisë sonë kulturore në funksion të ekspozimit të artit bashkëkohor, janë vetëm disa nga efektet pozitive, që i ka sjellë vendit tonë Manifesta”, ka thënë kryeministri.
Ai ka ftuar qytetarët që të vizitojnë intervenimet artistike në 25 lokacionet e Bienales deri në mbylljen e saj në fund të muajit tetor 2022.