Nintendo të martën njoftoi se ka rritur parashikimin e saj për shitjet e konsolës së re Switch 2, duke e çuar në 19 milionë njësi për vitin financiar që përfundon në mars 2026, nga 15 milionë sa ishte më parë.
Kompania me seli në Kioto gjithashtu rriti pritshmëritë për fitimin operativ vjetor me 16%, duke arritur në 370 miliardë jen (rreth 2.45 miliardë dollarë).
Pasardhësi i pajisjes së suksesshme Switch doli në treg në një kohë të ndjeshme, gjatë luftës tregtare të nisur nga presidenti amerikan Donald Trump, çka testoi aftësinë e Nintendo-s për të menaxhuar zinxhirin e furnizimit.
Deri në fund të shtatorit, kompania shiti 10.3 milionë njësi Switch 2, të nxitura nga tituj të njohur si “Mario Kart World” dhe “Donkey Kong Bonanza”.
Raporti i fitimit operativ për gjysmën e parë të vitit ra në 13.2%, nga 23.2% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjatë sezonit të rëndësishëm të blerjeve të fundvitit, pritet që kërkesa të mbështetet nga lojërat e reja si “Pokemon Legends: Z-A” dhe “Kirby Air Riders”.
Aksionet e Nintendo-s ranë me 0.8% para publikimit të rezultateve financiare, por mbeten 40% më të larta krahasuar me fillimin e vitit. /A.Z/UBT News/
