Policia e Kosovës ka arrestuar sot në fshatin Samadrexhë të Suharekës një 45-vjeçar me inicialet B.K., pasi I njejti kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori” me shufra metalike dhe tela, duke penguar qarkullimin e banorëve.
Gjatë ndërhyrjes së policisë rreth orës 08:30, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët me thikë dhe u ka bërë rezistencë të dhunshme.
Si pasojë e kësaj përleshjeje, katër policë kanë pësuar lëndime trupore, ndonëse policia sqaroi se lëndimet nuk erdhën nga goditjet me thikë, por gjatë procesit të neutralizimit të sulmuesit.
Personi i arrestuar është dërguar në stacionin policor në Suharekë, ku po priten hapat e mëtejshëm ligjorë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.
