UBT News

Suedia ndjek penalisht një grua që rekrutoi djalin e saj në Siri

Një grua 49-vjeçare nga Suedia, është akuzuar për krime lufte dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar, pasi dyshohet se kishte marrë djalin e saj për të luftuar në Siri, kanë njoftuar të martën më 4 janar prokurorët suedezë.

Gruaja, e cila është në paraburgim në Suedi që nga shtatori i vitit të kaluar, dyshohet se ka ndihmuar në rekrutimin e njërit prej djemve të saj, i lindur më 2001.

Rekrutimi ka ndodhur gjatë viteve 2013-2016 kur ajo dhe fëmijët e saj jetonin në territorin sirian që kontrollohej nga grupi militant Shteti Islamik.

Përmes një deklarate për media, autoritetet suedeze njoftuan se kjo është hera e parë që Suedia ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër një personi.

Prokurorët thanë se ekziston është absolutisht e ndaluar që fëmijët nën 15-vjeç të marrin pjesë drejtpërdrejt në ndonjë konflikt të armatosur.

Prokurorja Reena Devgun tha se hetimet treguan se djali ishte 12-vjeç kur mbërriti për herë të parë në Siri. Ai sipas hetimit, ishte i pajisur me mjete ushtarake dhe armë.

Sipas prokurores, “ai ishte përdorur për luftime dhe për qëllime propagandistike dhe për misione tjera që ishin pjesë e luftës”.

Ajo tha se veprimet e nënës së këtij djali, u konsideruan ekstreme sepse ai “u rekrutuar dhe u përdor si fëmijë ushtar nga një organizatë terroriste”.

Gruaja 49-vjeçare ka mohuar të gjitha akuzat.

Sipas raportimeve të mediave suedeze, kjo grua e rritur në një qytet në perëndim të Suedisë, u konvertua në islam dhe udhëtoi në Siri me pesë fëmijët e saj në vitin 2013.

Po atë vit, burri saj vdiq në Siri, derisa dy nga djemtë e saj – 14 vjeç dhe 18 – u vranë disa muaj më vonë./REL

Exit mobile version