Suedia i ka kërkuar zyrtarisht Kinës të bashkëpunojë në hetimin e sabotimit të dyshuar të dy kabllove nënujorë në detin Baltik.
Kabllot me fibra optike, njëri prej të cilëve lidhte Finlandën me Gjermaninë dhe tjetri Lituaninë me Suedinë, u dëmtuan javën e kaluar në një zonë ku ishte konstatuar prania e një anijeje kineze.
“Ne mendojmë se është shumë e rëndësishme të zbulojmë se çfarë ndodhi. Natyrisht presim që Kina t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës që i kemi dërguar”, deklaroi kryeministri i Suedisë Ulf Kristersson.
Anija kineze “Ji Peng 3” është aktualisht e ankoruar në ujëra ndërkombëtare mes Suedisë dhe Danimarkës, ku po monitorohet nga anije të tjera, përfshirë ato të marinës daneze.
“Ëall Street Journal” raportoi më herët se hetuesit dyshojnë se mjeti lundrues qëllimisht i preu kabllot duke tërhequr spirancën përgjatë shtratit të detit. Por autoritetet në Pekin deklarojnë se nuk kishin informacion për anijen dhe mohojnë përgjegjësinë.
“Kina ka pasur gjithmonë një qasje bashkëpunuese në menaxhimin e episodeve të tilla. Aktualisht, komunikimi dhe koordinimi me palët e interesuara është në zhvillim”, deklaroi Mao Ning, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.
Kryeministri polak Donald Tusk ka deklaruar ndërkohë se kjo nuk është hera e parë që në detin Baltik ndodhin akte sabotimi. Gazsjellësit “Rrjedha e Veriut” 1 dhe 2, që çonin gaz nga Rusia në Gjermani, u dëmtuan të dy në 2022-shin nga disa shpërthime. Ndërsa një vit më vonë, gazsjellësi “Ndërlidhësi Baltik”, mes Finlandës dhe Estonisë, u dëmtua rëndë.