UBT News

Suedia heq taksën për qeset plastike

Suedia ka vendosur të heqë taksën prej 0,25 centësh për qeset plastike, e cila ka kontribuar në një ulje të ndjeshme të përdorimit të këtyre qeseve gjatë katër viteve të fundit. Taksën e cila hyri në fuqi në maj të vitit 2020, do ta eliminojë në fund të kësaj jave, pavarësisht paralajmërimeve se ky hap mund të sjellë rritjen e konsumit të qeseve plastike në nivele të mëparshme.

Sipas të dhënave të raportuara nga The Guardian, përdorimi i qeseve plastike në Suedi ka pësuar një rënie drastike. Para futjes së taksës, në vitin 2019, çdo qytetar suedez konsumonte mesatarisht 74 qese plastike në vit. Në vitin 2023, ky numër kishte rënë në vetëm 17 qese për person, duke treguar një ndryshim të dukshëm në sjelljen e konsumatorëve.

Ky ligj u prezantua si një përgjigje ndaj direktivës së Bashkimit Evropian të vitit 2015, e cila kërkonte nga shtetet anëtare që të reduktonin përdorimin e qeseve plastike për të mbrojtur mjedisin. Heqja e taksës ka ngritur shqetësime në radhët e ambientalistëve dhe agjencive të qeverisë suedeze, duke përfshirë Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit. Zëdhënësja e kësaj agjencie, Asa Stenmarck, ka shprehur kritika ndaj këtij vendimi, duke theksuar se taksa ishte ende e nevojshme për të siguruar që sjelljet e reja të konsumatorëve të konsolidoheshin dhe të vazhdonin në të ardhmen.

Në kontekstin global, Suedia ka qenë një nga liderët në reduktimin e përdorimit të plastikës, por heqja e kësaj takse mund të sfidojë përpjekjet për të ruajtur një mjedis të pastër dhe për të promovuar praktikat e qëndrueshme. Sidoqoftë, autoritetet suedeze tani përballen me detyrimin për të gjetur mënyra të tjera për të inkurajuar qytetarët të vazhdojnë të përdorin alternativa më ekologjike ndaj qeseve plastike./UBTNews/

Exit mobile version