Stuhitë e fuqishme kanë goditur zona të Evropës qendrore dhe jugore, duke vrarë të paktën 12 persona, përfshirë tre fëmijë.
Vdekjet, shumica nga rënia e pemëve, u raportuan në Itali, Austri dhe në ishullin francez të Korsikës.
Stuhitë pasojnë javë të të nxehtit dhe thatësirës në pjesën më të madhe të kontinentit.
Në Korsikë, erërat që frynë deri në 224 km/h shkulën pemët dhe dëmtuan shtëpitë. Autoritetet atje thanë se një vajzë 13-vjeçare u vra nga një pemë që u rrëzua në një kamping.
Një burrë 46-vjeçar vdiq në një incident të ngjashëm dhe një grua rreth të 70-tave u vra kur makina e saj u godit nga çatia e shkëputur e një kasolleje.
Dy persona të tjerë, një peshkatar, 62 vjeç dhe një kajakere, 60 vjeç, vdiqën në det.
Ministri i Brendshë, Gerald Darmanin, i cili mbërriti në Korsikë të enjten, tha se 20 persona ishin plagosur – katër prej tyre në gjendje të rëndë.
Pothuajse 13,000 njerëz u evakuuan nga disa kampingje të enjten në mbrëmje dhe u strehuan në ndërtesa publike, përpara dëmeve të tjera të cilat po priten të ndodhin.
Dëshmitarët e stuhive thanë se ato ishin krejtësisht të papritura dhe se atyre nuk iu kishte dhënë asnjë paralajmërim.
Në kontinentin francez, disa zona jugore u goditën nga ndërprerjet e energjisë dhe rrugët u përmbytën në Marsejë.
Në Austri dy vajza të moshës katër dhe tetë vjeç u vranë pranë një liqeni në Carinthia.
Më vonë, tre gra u raportuan se kishin vdekur në provincën e Austrisë së Poshtme, gjithashtu si pasojë e rënies së një peme.
Zyrtarët thanë se 13 persona ishin plagosur, duke përfshirë pesë fëmijë.
Ndërkohë në Itali, një burrë dhe një grua u vranë nga rrëzimi i pemëve në incidente të veçanta në rajonin e Toskanës.
Por në Italinë jugore vazhdoi vala e të nxehtit, me temperatura deri në 40 gradë Celsius të regjistruara në Siçili. Përtej Detit Mesdhe në Algjeri, të paktën 38 njerëz kanë vdekur nga zjarret në pyje.
Ngjarjet ekstreme të motit, duke përfshirë valët e të nxehtit dhe stuhitë, janë bërë më intensive dhe më të shpeshta vitet e fundit për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit./UBTNews/