Një stuhi e fuqishme dimërore përfshiu Evropën veriore gjatë fundjavës, duke vrarë të paktën katër persona, duke shkatërruar shtëpi dhe makina, duke shkaktuar përmbytje, bllokuar transportin, dhe duke lënë mijëra familje pa energji elektrike.
Gjatë ditës së djeshme, stuhia Malik po përparonte në rajonin nordik, duke sjellë erëra të forta dhe reshje të shumta shiu e bore në Danimarkë, Finlandë, Norvegji dhe Suedi.
Stuhia arriti në rajonin nordik dhe në Gjermaninë veriore të shtunën vonë pasi u zhvendos nga Britania e Madhe, ku shkaktoi kërdi me dëme materiale dhe kaos transporti, duke goditur veçanërisht Skocinë.
Në Skoci, një djalë dhe një grua 60-vjeçare kanë vdekur nga rrëzimi i pemëve kur erërat e forta goditën pjesët veriore të Britanisë.
Shpërthime erërash prej më shumë se 160 km/h janë raportuar në pjesë të Skocisë, duke shkaktuar ndërprerje të gjerë të transportit dhe ndërprerje të energjisë elektrike në dhjetëra mijëra shtëpi.
Në Danimarkë, erërat e fuqishme me shi të dendur shkaktuan mbylljen e përkohshme të disa urave. Mediat daneze raportuan se një grua 78-vjeçare vdiq nga plagët e rënda pasi u rrëzua nga erërat e forta.
Në Gjermaninë fqinje, media lokale raportoi se një burrë vdiq të shtunën pasi u godit nga një billboard i zhvendosur nga stuhia.
Përmbytjet në shumë pjesë të Danimarkës shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale. Disa aksidente trafiku të shkaktuara nga rënia e pemëve dhe mbeturinat e shumta u raportuan në polici.
Pjesët jugore të Suedisë u goditën rëndë dhe mijëra familje ishin pa energji elektrike deri të dielën pasdite. Tragetet për në ishullin Gotland të Detit Baltik u anuluan për shkak të erërave të forta.
Dëme të rënda në shtëpi, makina dhe varka u raportuan në Norvegji, ndërsa reshjet e dendura të borës në të gjithë Finlandën shkaktuan përplasje rrugore dhe ndërprenë trafikun e autobusëve dhe trenave në disa pjesë të vendit./UBTNews/