UBT News

Studiuesit shpjegojnë sistemin e avancuar Maja për eklipset diellore

Një tekst i lashtë Maja që përshkruan parashikimin e eklipseve diellore ka mbetur mister për shekuj, por dy studiues duket se kanë gjetur më në fund zgjidhjen.

Qytetërimi Maja krijoi kalendarë jashtëzakonisht të zhvilluar para ardhjes së evropianëve, por shumica u zhdukën gjatë inkuizicionit spanjoll. Një nga të paktët që mbijetuan, Kodi i Dresdenit, konsiderohet çelësi i kuptimit të astronomisë së tyre, shkruan Science Alert.

Për Majat, të cilët e lidhën jetën e fenë me lëvizjet qiellore, parashikimi i saktë i eklipseve ishte thelbësor. Historiania Kimberley Breuer nga Universiteti i Teksasit shpjegon se regjistrimi i cikleve qiellore u lejonte elitave të përgatiteshin për ngjarje të rëndësishme.

Gjatë eklipseve, p.sh fisnikëria kryente rituale gjakderdhjeje për të “forcuar” perëndinë e diellit. Priftërinjtë dhe sundimtarët duhet të dinin çfarë ritualesh të kryenin e sakrificash të ofronin.

Kodi i Dresdenit, që daton nga shekulli XI është libër prej 78 faqesh i pikturuar me ngjyra, i cili përmban informacione mbi astronominë, astrologjinë dhe mjekësinë. Një tabelë brenda tij u shërbente “rojtarëve të ditës” për të parashikuar eklipset për 700 vjet me radhë. Tabela përfshin 405 muaj hënorë (11,960 ditë), por mënyra e përdorimit të saj ka qenë e paqartë për dekada.

Në një studim të botuar së fundmi në Science Advances, gjuhëtari John Justeson dhe arkeologu Justin Lowry ofrojnë një shpjegim të ri.

Besohej se tabela rifillohej në fund të muajit të 405-të, por shkaktonte gabime me kalimin e kohës. Dy studiuesit propozojnë që rivendosja të bëhet në muajin e 358-të, duke ulur devijimin në vetëm 2 orë e 20 minuta.

Për të korrigjuar grumbullimin e vogël të gabimeve, tabela në raste të caktuara do të rifillohej në muajin e 223-të. Duke e krahasuar metodën me të dhënat moderne astronomike, zbuluan se Majat parashikonin çdo eklips diellor të dukshëm nga viti 350 deri në 1150.

Studimi tregon jo vetëm nivelin e avancuar matematikor të Majave, por edhe rolin e rëndësishëm të “rojtarëve të ditës”, të cilët e lidhën praktikën fetare me një kuptim të sofistikuar të cikleve qiellore. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version