Një studim i ri i botuar në revistën PNAS, që përfshiu 4,726 pjesëmarrës me funksione njohëse normale, ka zbuluar dallime të moderuara, por të qëndrueshme mes gjinive në mënyrënsi truri humbet masë me kalimin e viteve, raporton ScienceAlert.
Truri i njeriut tkurrret natyrshëm me moshën, ndërsa tek personat me Alzheimer, kjo humbje është më e madhe. Megjithatë, edhe pse gratë diagnostikohen me Alzheimer dyfish më shpesh se burrat, pak dihet për ndikimin e gjinisë në ndryshimet e trurit gjatë plakjes.
Truri i grave humbet më ngadalë masën e lëngut gri dhe të bardhë, pjesë të rëndësishme për kujtesën, të menduarit dhe kontrollin e trupit.
“Nëse truri i grave do të degjeneronte më shpejt, kjo mund të shpjegonte pse ato preken më shumë nga Alzheimeri,” thotë Anne Ravndal, neuroshkencëtare në Universitetin e Oslos.
Ekipi analizoi mbi 12,000 skanime të trurit nga persona të moshës 17–95 vjeç, me dy rezonanca magnetike secili, me një interval mesatar trevjeçar. Edhe pse truri i burrave është më i madh, studiuesit vunë re se burrat kishin tkurrje më të gjerë, duke përfshirë shumë pjesë të korteksit. Gratë, nga ana tjetër, humbnin masë më pak dhe trashësia e korteksit ndryshonte më pak me moshën.
Rezultatet tregojnë dallime biologjike reale mes gjinive në plakje, por autorët theksojnë se kërkime të mëtejshme janë të nevojshme për të kuptuar këto ndryshime. Historikisht, shkenca e trurit ka pasur mungesë barazie gjinore: në vitin 2019, vetëm 5% e studimeve në neuroshkencë apo psikiatri kishin marrë në konsideratë ndikimin e gjinisë.
Një gjetje interesante është se nuk u gjetën dallime në tkurrjen e hipokampusit, pjesa e trurit që lidhet me kujtesën që ndikohet nga demenca. Tek gratë, humbja e masës u shfaq vetëm në moshë të avancuar, ndoshta për shkak të jetëgjatësisë më të madhe, jo për shkak të rrezikut më të madh për Alzheimer. Kur u krahasuan burra dhe gra me jetëgjatësi të barabartë, ndryshimet pothuajse u balancuan.
Ndarja e ndikimit të gjinisë nga faktorët gjenetikë e mjedisorë mbetet e vështirë për shkak të mungesës së studimeve afatgjata.
Kjo mungesë barazie “ka pasoja serioze për mirëqenien” dhe vendos “barrë të padrejtë mbi shëndetin e grave”.
Ravndal përfundon: “Studimi i plakjes së trurit tek gratë është vonuar prej kohësh. Ky është vetëm një hap drejt kuptimit më të qartë se si plakja ndikon ndryshe tek burrat dhe gratë.” /A.Z/UBT News/