UBT News

Studimi: Trauma në fëmijëri lë gjurmë të përhershme në metabolizmin e trupit

Një studim i publikuar në revistën Biological Psychiatry, me titull “The Metabolomic Signature of Childhood Trauma”, i udhëhequr nga Camille Souama dhe Brenda Penninx, ka zbuluar se trauma e përjetuar në fëmijëri mund të lërë shenja të qëndrueshme në mënyrën se si funksionon metabolizmi i trupit njerëzor.

Sipas studiuesve, të rriturit që kanë kaluar përvoja traumatike shfaqin ndryshime të dukshme dhe të qëndrueshme në përbërjen kimike të gjakut. madje edhe dekada më vonë. Sa më e rëndë të ketë qenë trauma, aq më të mëdha janë edhe ndryshimet biologjike të vërejtura.

“Rezultatet tona tregojnë lidhje të qarta biologjike midis vështirësive në jetën e hershme dhe rrezikut të shtuar për probleme fizike e mendore më vonë”, – thuhet në raport, sipas PsyPost.

Si u zhvillua studimi?

Ekipi kërkimor u fokusua në metabolomën – grupin e të gjitha molekulave të vogla që marrin pjesë në proceset jetike të trupit, si aminoacidet, yndyrnat dhe sheqernat. Këto molekula janë si “gjurmë kimike” që tregojnë se çfarë ndodh në trup në çdo moment dhe mund të zbulojnë shenja të hershme të sëmundjeve, inflamacionit apo stresit kronik.

Në studim morën pjesë 3,000 të rritur nga Holanda, të cilëve iu analizuan mostrat e gjakut në dy periudha, në fillim të hulumtimit dhe pas gjashtë vitesh. Pjesëmarrësit raportuan përjetimet traumatike para 16 vjeç, përfshirë abuzimin emocional, fizik apo seksual e neglizhencën emocionale.

Rezultatet identifikuan 18 metabolite që lidhen drejtpërdrejt me përvojat traumatike – nëntë në nivele më të larta dhe nëntë më të ulëta. Sa më e madhe të ishte trauma, aq më të theksuara rezultuan ndryshimet.

“Pamë një lidhje të qartë ‘dozë-përgjigje’ – më shumë trauma, më shumë ndryshime në metabolizëm”, – shpjegojnë autorët.

Ndryshimet biologjike të zbuluara

Disa nga metabolitet e rritura përfshinin substanca si 2-methylbutyrylcarnitine dhe propionylcarnitine, të cilat lidhen me mënyrën si trupi përpunon yndyrat dhe aminoacidet. Këto tregojnë se trauma mund të ndikojë në prodhimin e energjisë, duke shkaktuar stres metabolik ose “lodhje” të mitokondrive – qelizat që prodhojnë energjinë trupore.

Nga ana tjetër, niveli i hormoneve të stresit – kortizol dhe kortizon – ishte dukshëm më i ulët te personat që kishin përjetuar trauma të hershme. Këto hormone, të prodhuara nga gjëndrat mbiveshkore, ndihmojnë trupin të përballojë stresin. Ulja e tyre tregon se sistemi HPA (hypothalamic-pituitary-adrenal axis), që kontrollon reagimin ndaj stresit, mund të pësojë ndryshime afatgjata.

“Trauma në fëmijëri ndikojë në trup përmes rrugëve biologjike që lidhen me stresin – jo vetëm nëpërmjet mendjes”, – thuhet në raport.

Pasojat dhe rëndësia e zbulimit

Disa nga metabolitet e ndikuara janë lidhur më parë me sëmundje kardiovaskulare dhe depresion, ndërsa të tjera janë zbulime të reja që sugjerojnë se trauma mund të lërë gjurmë përtej shëndetit mendor.

Studiuesit theksojnë se këto efekte biologjike nuk lidhen vetëm me stilin e jetesës, pasi rezultatet mbetën të njëjta edhe pasi u morën parasysh faktorë si pesha trupore apo përdorimi i barnave që ndikojnë në nivelet e yndyrës.

“Efekti i traumës nuk është vetëm psikologjik, është i gdhendur në vetë metabolizmin e trupit”, ka deklaruar bashkautorja Camille Souama.

Megjithatë, studiuesit pranojnë se studimi ka kufizime: pjesëmarrësit ishin me origjinë veriore-evropiane, ndërsa faktorë si ushqyerja nuk u morën parasysh, edhe pse ndikojnë ndjeshëm në metabolizëm.

Hapat e ardhshëm të kërkimit

Ekipi synon të zbulojë nëse këto shenja metabolike përdoren për të identifikuar personat me rrezik të lartë për sëmundje fizike apo mendore. Po ashtu, do të shqyrtohet nëse ndryshimet në stilin e jetesës – si ushqimi i shëndetshëm, aktiviteti fizik apo menaxhimi i stresit – mund të ndihmojnë në zbutjen e këtyre efekteve biologjike të traumës së hershme. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version