UBT News

Studimi: Po u besojmë më shumë kompjuterëve, sesa njerëzve

A ju ndodh shpesh të kërkoni makinën llogaritëse, madje edhe për llogaritjet më të thjeshta matematikore?

Këto kohë ka shumë shqetësime se teknologjia, siç është inteligjenca artificiale, është shumë e zgjuar për të mirën e vet.

Pavarësisht nga frika se sa ndërhyrëse po bëhen algoritme e saj, një studim i ri zbulon se njerëzit janë në fakt më të gatshëm t’i besojnë më shumë një kompjuteri sesa shokut të tyre. Studiuesit në Universitetin e Xhorxhias në SHBA, thonë se kjo është veçanërisht e vërtetë kur njerëzit i shohin detyrat si shumë sfiduese për t’i kryer vetë.

Megjithatë, nuk janë vetëm “detyrat e vështira” për të cilat njerëzit i drejtohen për ndihmë kompjuterëve. Nga zgjedhja e këngës së radhës për të dëgjuar, tek gjetja e pantallonave më të përshtatshme, algoritmet po marrin gjithnjë e më shumë peshë në vendimet e përditshme në jetën e njerëzve, pavarësisht nëse ata e kuptojnë apo jo.

“Algoritmet janë në gjendje të bëjnë një numër të madh detyrash, dhe numri i detyrave që ato janë në gjendje të bëjnë, është duke u zgjeruar praktikisht çdo ditë”- thotë Erik Bogert, doktorant në Kolegjin Terri të Departamentit të Biznesit të Sistemeve të Informacionit të Menaxhimit, në një botim të universitetit.

“Duket sikur ka një paragjykim drejt mbështetjes më të madhe tek algoritmet, kur një detyrë bëhet më e vështirë, dhe ai efekt është më i fortë se sa paragjykimi ndaj mbështetjes tek këshillat e njerëzve të tjerë”-shton ai.

Studiuesit vlerësuan përgjigjet e 1.500 individëve të ngarkuar me numërimin e njerëzve në një seri fotografish. Gjithashtu, ekipi u dha pjesëmarrësve sugjerime se si ta bënin këtë, nga njerëz të tjerë apo me algoritme kompjuterike.

Ndërsa turma në fotografi bëhej gjithnjë e më e madhe dhe më e vështirë për t’u numëruar, vullnetarët kishin më shumë gjasa të ktheheshin tek sugjerimet e kompjuterit, sesa të ndiqnin intuitën e tyre. Bashkë-autori i studimit, Aron Shekter, thotë se detyrat e numërimit janë një mënyrë e përsosur për të matur besimin tek kompjuterët.

Ndërsa numri i njerëzve rritet pas çdo fotoje që kalon, detyra bëhet më e vështirë për t’u kryer nga njerëzit. Ekipi i studiuesve shton se këto detyra janë gjithashtu lloji i problemeve që njerëzit presin të zgjidhen nga kompjuterët.

“Kjo është një detyrë, për të cilin njerëzit e perceptojnë se një kompjuter do të ishte më i aftë për ta zgjidhur, edhe pse mund të jetë më shumë subjekt i paragjykimit, sesa numërimi i objekteve”- shpjegon Shekter. Por vetëm për shkak se një program kompjuterik është thjesht një grumbull të dhënash, kjo nuk do të thotë që nuk ekzistojnë paragjykimet.

Shekter vëren se algoritmat e njohjes së fytyrës dhe të punësimit, janë kritikuar së fundmi për shkak të paragjykimeve kulturore të përfshira në programet e tyre. Dhe ato mund të çojnë në pasaktësi kur përputhin fytyrat me identitetet, ose kur verifikojnë kandidatët e kualifikuar për një vend pune.

Ky studim, është pjesë e një studimi më të madh të Shekter mbi bashkëpunimin njeri-makinë, të financuar nga ushtria amerikane. ”Synimi përfundimtar, është të shohim grupe njerëzish dhe makinerish që marrin vendime të ndryshme, dhe të gjejmë mënyrën se si mund t’i bëjmë ata ta besojnë njëri-tjetrin, dhe se si kjo e ndryshon sjelljen e tyre”- përfundon Shekter. / StudyFinds – Bota.al

Exit mobile version