Një studim i fundit nga Huntsman Cancer Institute në Universitetin e Utah sugjeron se personat që kanë bërë dy ose më shumë seanca tatuazhesh mund të kenë rrezik më të ulët për të zhvilluar melanomë, një lloj i rrezikshëm i kancerit të lëkurës.
Ekipi i udhëhequr nga doktoresha Jennifer Doherty analizoi të dhënat e 7 mijë banorëve dhe gjeti se personat me një seancë tatuazhi kishin rrezik më të lartë, veçanërisht për melanomën “in situ”, ndërsa ata me disa tatuazhe dukeshin më të mbrojtur.
Shkencëtarët nuk e kuptojnë ende pse ndodh kjo, por një shpjegim i mundshëm është se personat me më shumë tatuazhe tregohen më të kujdesshëm ndaj diellit dhe përdorin krem mbrojtës, ose që tatuazhet mund të nxisin një reagim imunitar të dobishëm.
Doktoresha Rachel McCarty thekson se kjo nuk do të thotë që të bësh më shumë tatuazhe ul automatikisht rrezikun.
Hulumtimet e mëparshme sugjerojnë se tatuazhet mund të lidhen me lloje të tjera kanceri, si disa forma të leukemisë.
Studimi u publikua në Journal of the National Cancer Institute, dhe ekspertët theksojnë rëndësinë e kuptimit të faktorëve të rrezikut për të përmirësuar strategjitë parandaluese dhe shpëtuar jetë. /A.Z/UBT News/