Sa më shumë që shihni personazhe të famshëm si Kim Kardashian, Kylie Jenner dhe Justin Bieber në Instagram, aq më shumë ka të ngjarë që të keni një imazh më të keq për veten, thotë një dokument kërkimor.
Hulumtimi i zbuluar nga Wall Street Journal (WSJ) këtë javë, zbuloi se njerëzit që ndoqën disa nga yjet më të mëdhenj në Instagram, përfshirë familjen Kardashian, Ariana Grande dhe Katy Perry përjetuan një krahasim më të madh negativ social, që do të thotë se ata e krahasojnë veten në mënyrë të pafavorshme me të famshmit, dhe imazhet që shohin.
Nga ana tjetër, ndjekësit e Will Smith, futbollisti brazilian Neymar dhe ylli i filmit Dwayne “The Rock” Johnson raportuan se ndjenin më pak krahasim social negativ, sipas zbulimeve të studiuesve të Facebook.
Pothuajse gjysma e përmbajtjes që njerëzit shohin në Instagram vjen nga të famshëm, thuhet në hulumtim.
Adoleshentët më të prekur
Hulumtimi, i titulluar “Social comparison on Instagram”, anketoi 100,000 njerëz në mars dhe prill të vitit 2020 në nëntë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë.
Adoleshentët ishin më të prirur ndaj krahasimit social negativ sesa të rriturit, zbuloi kërkimi.
Në përgjithësi, gratë dhe vajzat adoleshente kishin më shumë gjasa të përjetonin krahasime negative sociale.
Një nxitës tjetër i fortë i krahasimit social negativ për përdoruesit e Instagram ishin postimet me pëlqime të vetëm një përdoruesi, si dhe selfie të redaktuara shumë dhe filtra zbukurues.
Raporti i hulumtimit gjithashtu jep një pasqyrë se si Facebook shpresonte të zgjidhte çështjen e krahasimit negativ social në Instagram.
Një seri sugjerimesh përfshin opsionin për të fshehur pëlqimet – të cilat kompania i zbatoi në fillim të këtij viti.
Studiuesit sugjeruan që kompania të punojë me të famshmit, ndjekësit e të cilëve përjetuan nivelet të larta të krahasimit negativ për të prodhuar “fushata realiteti” për të adresuar çështjen./UBTNews