Ujqërit e infektuar me një parazit të zakonshëm kanë shumë më tepër gjasa të bëhen liderët e tufës së tyre, sipas një studimi të ri, duke sugjeruar se ndërhyrësi (paraziti) që banon në tru e inkurajon atë për të marrë më shumë rreziqe.
Paraziti njëqelizor, Toxoplasma gondii, riprodhohet vetëm seksualisht te macet, por mund të infektojë të gjitha kafshët me gjak të ngrohtë, përcjell UBT News.
Studimi i ri, i botuar në revistën “Communications Biology” të enjten, ka përfituar nga të dhënat 26-vjeçare mbi ujqërit gri që jetojnë në Parkun Kombëtar Yellowstone në ShBA për të hetuar se si paraziti mund të ndikojë në sjelljen e tyre.
Studiuesit analizuan mostrat e gjakut të gati 230 ujqërve dhe 62 pumave – macet e mëdha – janë përhapës të njohur të parazitit.
Ata zbuluan se ujqërit e infektuar kishin më shumë gjasa të futeshin më thellë në territorin e pumës sesa ujqërit e pa infektuar.
Ujqërit e infektuar kishin gjithashtu 11 herë më shumë gjasa të linin tufën e tyre sesa ujqërit pa parazit, tha studimi, duke treguar një shkallë më të lartë të marrjes së rrezikut.
Dhe një ujk i infektuar ka deri në 46 herë më shumë gjasa të bëhet udhëheqësi i tufës, vlerësuan studiuesit, duke shtuar se roli normalisht fitohet nga kafshë të cilat janë më agresive.
Bashkautorja e studimit, Kira Cassidy, tha për AFP se megjithëse “të jesh më i guximshëm nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe”, mund të “ulë mbijetesën për kafshët më të guximshme pasi ato mund të marrin vendime që i vënë në rrezik më shpesh”.
“Ujqërit nuk kanë hapësirën e mbijetesës për të ndërmarrë shumë më tepër rreziqe sesa kanë tashmë”.
Cassidy tha se ishte vetëm studimi i dytë mbi efektin e këtij paraziti në një kafshë të egër, pasi hulumtimi vitin e kaluar zbuloi se rritja e guximit te këlyshët e infektuar të hienave i bëri ata më të prirur për t’u afruar dhe vrarë nga luanët në Kenia.
Hulumtimet laboratorike kanë gjetur gjithashtu se brejtësit me parazitin humbasin frikën e tyre instinktive nga macet – duke e dërguar vet veten e tyre në duart e maceve./UBTNews/
Artikulli është marrë me shkurtime nga France24