Shtesat me Omega-3, acide yndyrore që gjenden kryesisht tek peshqit dhe që shpesh rekomandohen për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare, nuk ofrojnë mbrojtje për personat me diabet, sipas një studimi të ri britanik.
Ky përfundim i shtohet disa hulumtimeve të mëparshme që vënë në dyshim efektin mbrojtës të Omega-3.
Në studim morën pjesë mbi 15,000 persona me diabet, por pa histori sëmundjesh të zemrës.
Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht në dy grupe: njëri mori çdo ditë kapsulë Omega-3, ndërsa grupi tjetër një kapsulë placebo me vaj ulliri.
Ata u monitoruan për më shumë se shtatë vjet. Rezultatet, të publikuara në revistën amerikane “New England Journal of Medicine”, treguan se numri i sulmeve të zemrës, kancereve dhe vdekjeve ishte pothuajse i njëjtë në të dy grupet.
Nuk u vu re asnjë përfitim nga përdorimi i përditshëm i Omega-3 për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare tek diabetikët.
Këto gjetje përputhen edhe me një analizë të gjerë të 10 studimeve, që përfshinë 78,000 persona dhe u botuan në “JAMA Cardiology” në vitin 2018, e cila arriti në përfundimin se Omega-3 nuk parandalon sëmundjet e zemrës tek personat e rrezikuar. /A.Z/UBT News/
