Kostot e energjisë për familjet në të gjithë Evropën pothuajse u dyfishuan në krahasim me një vit më parë, kanë zbuluar të dhënat e reja.
Faturat e gazit janë rritur me 111% dhe ato të energjisë elektrike 69%, sipas shifrave të fundit nga Indeksi i Çmimeve të Energjisë Familjare.
Mesatarisht, këto dy shifra nënkuptojnë një rritje të faturës së energjisë prej 90% – ose gati dyfish – krahasuar me tetorin e vitit 2021.
Hulumtimi, i publikuar të hënën nga Energie-Control Austria, Autoriteti Rregullativ Hungarez i Energjisë dhe Shërbimeve Publike (MEKH) dhe VaasaETT, thekson ndikimin e luftës së Ukrainës në Evropë, e cila ka shkaktuar një krizë të kostos së jetesës dhe ka zhytur shumë ekonomi në recesion.
Duke përcaktuar se si pushtimi rus ndikoi në çmimet e energjisë, autorët thanë se ai kishte shkaktuar “pasiguri mbi sigurinë e energjisë” dhe “reduktoi furnizimet e gazit rus ose ndërprerjen e plotë të furnizimit”.
Rusia reduktoi dhe përfundimisht ndaloi furnizimet me gaz të Nord Stream në Evropë në shtator, pasi vendet perëndimore sanksionuan Moskën për pushtimin e saj në Ukrainë.
Raporti i Indeksit të Çmimeve të Energjisë Familjare shqyrtoi çmimet e gazit dhe energjisë elektrike nga viti 2009 deri në tetor 2022 në 33 vende evropiane — përfshirë vendet anëtare të BE-së si dhe Malin e Zi, Norvegjinë, Serbinë, Ukrainën, MB dhe Zvicrën.
Ai zbuloi se rritjet e fundit të çmimeve të energjisë pasuan rritje rekord në 2021 të shkaktuara nga kërkesa më e lartë pasi njerëzit dhe bizneset u rikuperuan nga pandemia COVID./UBTNews/