Një studim i bërë në Norvegji, pretendon se raste me COVID kanë qenë në Evropë disa javë përpara se të konfirmoheshin rastet e para, përcjell UBT News.
Studiuesit thonë se COVID-19 ka të ngjarë të ishte shumë më i përhapur në Evropë dhe në mbarë botën, përpara se të bëhej një diagnozë e parë zyrtare.
Shkencëtarët në Spitalin Universitar Akershus pranë Oslos identifikuan një rezultat pozitiv të koronavirusit në një mostër gjaku të marrë nga një grua shtatzënë më 12 dhjetor 2019 dhe thonë se ajo ndoshta ishte infektuar në fund të nëntorit ose në fillim të dhjetorit.
“Gjetjet tona ndryshojnë historinë e epidemisë së koronës si në Norvegji ashtu edhe në botë”, tha Anne Eskild, profesoreshë dhe mjeke kryesore në Akershus.
“Ne në fakt gjetëm katër [raste] nga 1,500 teste në gratë shtatzëna që ishin pozitive përpara se të diagnostikohej rasti i parë në Francë”, tha ajo për Euronews.
Një grup rastesh të ngjashme me pneumoninë u identifikuan në Wuhan të Kinës gjatë dhjetorit të vitit 2019.
Sipas Eurosurveillance, revista evropiane për mbikëqyrjen, epidemiologjinë, parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve infektive, tre rastet e para evropiane u konfirmuan në Francë më 24 janar të vitit 2020 pasi shfaqën simptoma vetëm disa ditë më parë.
Në maj të vitit 2020 u raportua një tjetër pacient francez – i cili ishte trajtuar për pneumoni në spital më 27 dhjetor 2019 – që rezultoi pozitiv për COVID-19.
Profesorja Eskild thotë se hulumtimi i saj tregon se virusi ishte rrotull shumë kohë përpara atyre rasteve franceze.
“Përfundimi për këtë është se meqenëse gratë në zonën tonë janë nga e gjithë bota, virusi mund të ketë qenë në të gjithë botën përpara se kinezët të shpallnin epideminë”.
Gjetjet janë publikuar në revistën epidemiologjisë dhe infeksionit të shtypit të Universitetit të Kembrixhit./UBTNews/