UBT News

Studimi: 1 në 3 persona mbi 65 vjeç preket nga humbja e dëgjimit

Kujdes në rastet e rënies nga traumat akustike, shpërthimet e ndryshme, gjuajtjet me armë me veshët e pambrojtur, ku rëndësi ka momenti i paraqitjes te mjeku sepse edhe minuta është e rëndësishme në fillimin e terapisë dhe në rikuperimin e plotë të dëgjimit.

Miliona njerëz jetojnë me probleme të dëgjimit. Ndërgjegjësimi për rreziqet që shkaktojnë humbjen e saj e përmirësimi i aksesit ndaj shërbimeve në nivelin e kujdesit shëndetësor parësor, zvogëlon rastet e ndikimin negativ të humbjes së dëgjimit. Identifikimi i hershëm i është çelësi. Humbja e dëgjimit e patrajtuar çon në largimin e njerëzve nga mjediset shoqërore, shkakton ndjenja vetmie e izolim social.

Humbja e dëgjimit e lidhur me moshën menaxhohet në mënyrë efektive përmes mjeteve, duke përfshirë aparatet e dëgjimit. Ekspozimi i rregullt ndaj tingujve me volum të lartë për një periudhë të gjatë paraqet kërcënim serioz për humbjen e dëgjimit.

Infeksionet kronike të veshit janë një ndër shkaqet kryesore të humbjes së dëgjimit. Ato janë të parandalueshme dhe menaxhohen përmes trajtimit mjekësor dhe ndërhyrjeve kirurgjike.

Shenjat – Janë rënia e dëgjimit e shoqëruar apo jo me zhurmë në vesh. Në rastin e gripit shoqërohet me bllokim hundësh, sekrecione të trashura. dhimbje koke, marrje mendsh. Në rastin e bllokimit pas daljes nga dushi shoqërohet me dhimbje të kanalit. Në rastin e pacientëve me sëmundje hipertensive, që anashkalojnë ose të marrin mjekim jo të rregullt dhe ngrihen në mëngjes me humbje të menjëhershme të dëgjimit nuk kemi asnjë shenjë tjetër klinike. Serioziteti i patologjisë varet nga shkalla e rënies së dëgjimit, vazhdimësia në kohë dhe nga sëmundjet tjera shoqëruese. Në bllokimet pas dushit nga dylli problemi është i zgjidhshëm pas vizitës te mjeku orl dhe lavazhit të veshit.

Diagnoza – Në rastet e rënies së dëgjimit, zhurmë në vesh dhe shqetësimi është i dukshëm, bëhet otoskopia, pra këqyrja e kanalit të jashtëm të dëgjimit deri në membranë timpanike, ekzaminimi i hundës dhe i fytit, pra i të tre organeve për të shqyrtuar një patologji të mundshme që i lidh të tria. Bëhen provat kamertonale, matja e nivelit të dëgjimit e matja e presionit në veshin e mesëm. Në rastin e fëmijëve që nuk bashkëpunojnë, bëhet timpanometria. Ajo që na ndihmon në vendosjen e diagnozës është anamneza ose historia e sëmundjes së pacientit, shenjat tjera shoqëruese, mosha. Rëniet e menjëhershme të dëgjimit në mosha të reja pa asnjë shenjë klinike, kërkojnë edhe bërjen e një rezonance magnetike të kokës për ndonjë patologji tjetër shoqëruese që nuk ka lidhje me veshin.

Trajtimi – Mjekimi i rënies së menjëhershme të dëgjimit është në varësi të situatës, që e ka shkaktuar. Nëse rënia vjen nga bllokimi i kanalit nga dylli aplikohet lavazhi me ujë ose aspirimi i kanalit. Nëse rënia shoqërohet me probleme tjera si: gjendja virale, bllokimi i hundëve, sekrecione, dhimbje koke, fillohet mjekimi dhe për patologjitë shoqëruese, që e shkaktojnë. Nëse rënia shfaqet te pacientët me moshë të madhe një ndihmë në mjekim, jep kortizoni, por këta pacientë mund të hospitalizohen, që të mbahen nën kontroll për problemet hipertensive që shoqërojnë mjekimin me kortizon.

E njëjta gjë mund të ndodhë edhe te pacientët diabetikë. Në rastin e krizav të sëmundjes së veshit të brendshëm fillohet terapia. Kujdes në rastet e rënies nga traumat akustike, shpërthimet e ndryshme, gjuajtjet me armë me veshët e pambrojtur, ku rëndësi ka momenti i paraqitjes te mjeku sepse edhe minuta është e rëndësishme në fillimin e terapisë dhe në rikuperimin e plotë të dëgjimit. /UBT News/

Exit mobile version