UBT News

Studimet e fundit: Mos e teproni me mishin e kuq!

Mishi i kuq, është i shëndetshëm apo helm? Përgjigjja mund të jetë “të dyja”.

Konsumi i tepërt i mishit të kuq është lidhur me sëmundje serioze dhe vdekje të parakohshme.

Por, a është fjala për çdo lloj mishi të kuq dhe cila është sasia që quhet e tepërt?

Mishi i bagëtisë apo mishi i gjahut është produkt ushqimor që ka rezultuar vendimtar në evoluimin e njeriut. Nga pikëpamja ushqyese është i çmuar se përmban proteina me vlerë të lartë biologjike, hekur me biodisponibilitetin më të lartë dhe një sërë elementesh tjera ushqyese që i nevojiten njeriut. Anemia është një ndër sëmundjet më të përhapura, sidomos në moshat e vogla. Miliona vdekje fëmijësh parandalohen në botë nëse merren masa për të plotësuar hekurin në dietë, dhe mishi i kuq është burimi më i mirë dhe më efikas i tij.

Mishi i kuq, në aspektin antropologjik është një nga ushqimet më të përshtatshme për njeriun. Pse sot mishi i kuq gjendet nën akuzë dhe shihet si një kërcënim për njeriun?

Sasia

Paraardhësit tanë kanë kaluar jetën në kërkim të mundimshëm të ushqimit. Kanë shpenzuar energji të shumta për të siguruar ushqimin që gjente në territorin përreth tij. Këtu bënte pjesë edhe gjahu, i cili ishte trofe e një lufte të gjatë. Mishi ka qenë luks për njeriun deri pak dekada më parë. Sot mishi i kuq konsumohet pothuajse çdo ditë. Që të përmbushet kjo kërkesë “maniake” e njeriut të sotëm, industritë ushqimore kanë siguruar prodhimin intensiv të kafshëve, që kalojnë jetën të izoluara nga natyra, të ushqyera me koncentrat drithërash dhe aspak jeshillëk, të trajtuara me antibiotikë dhe hormone rritje, dhe të kryqëzuara gjenetikisht për të arritur masë trupore maksimale.

Cilësia

Nëse i hedhim sytë pas, konstatojmë se mishi që përftohej deri disa dekada rritej në aq kohë sa i kish përcaktuar natyra, me ushqim të gjelbër, duke kullotur i lirë e jetuar në harmoni me klimën e natyrën. Këto kafshë kanë profil yndyrash ndryshe nga kafshët që rriten në regjim stallor. Ato përmbajnë yndyra esenciale më tepër se të dytat, faktor ky i rëndësishëm në sëmundjet kardiake, metabolike e tumorale.

Kafshët e prodhimit intensiv trajtohen me antibiotikë, fakt ky që mendohet të jetë përgjegjës për rezistencën ndaj antibiotikëve dhe transformimin e baktereve, dhe transformimin e florës bakteriale të njeriut që i konsumon. Flora bakteriale është një ndër armët më të forta të organizmit kundër sëmundjeve auto-imunitare, sëmundjeve kronike dhe atyre tumorale. Nëse kafshët trajtohen me hormone, konsumatori i mishit  vendoset në rrezik për një sërë sëmundjesh që lidhen me funksionin hormonal, siç është edhe kanceri i gjirit.

Ruajtja – Mënyra e therjes, higjiena, kullimi i gjakut dhe ruajtja në ambiente të freskëta, janë hapa të rëndësishëm në parandalimin e formimit të nënprodukteve të metabolizmit të mikrobeve, të cilat mund të rezultojnë në substanca të dëmshme për shëndetin e njeriut.

Përpunimi – Trajtimi i mishit me nitrate, për t’i ruajtur nga baktere të rrezikshme, siç ndodh me sallame e proshuta, është një ndër shkaqet e formimit të nitrosaminave, përbërës kancerogjen. Për këto ekziston limit i caktuar si “i sigurt”, por kontrollet ushqimore kanë hasur nivele të larta, si p.sh të panceta. Tymosja e mishit është procedurë problematike duke shkaktuar prodhim lëndësh toksike.

Gatimi – Studimet tregojnë se mënyra e gatimit është një faktor i rëndësishëm në pasojat që mishi ka në shëndetin e njeriut. Gatimi në skarë apo në tigan, në temperaturë të lartë, kontakti me flakë dhe tym dhe koha e gjatë e gatimit, luajnë rol vendimtar në formimin e substancave kancerogjene, veçanërisht promotore të kancerit të zorrës së trashë.

Si të veprojmë?

Konsumoni mish të kuq jo me shpesh se 1 herë në javë ose jo më shumë se 200gr në javë;

Hani më pak dhe më rrallë nënprodukte të mishit si sallamet, proshutat e pançeta;

Zgjidhni mish nga bagëti të rritura natyralisht;

Marinoni mishin me vaj ulliri, rozmarinë, hudhër dhe limon për disa orëpara gatimt. Kombinimi i mishit të kuq me djathë rezulton në ulje të veprimtarisë kancerogjene në zorrën e trashë;

Gatuani mishin të zier ose të pjekur, pa e lënë të digjet apo të marrë ngjyrë të kaftë;

Shoqërojeni me perime si brokoli, qepët, lakra e bardhë ose lulelakra, dhe me një gotë verë të kuqe të mirë. /UBT News/

Exit mobile version