Ju mund të keni dëgjuar se nga ushtrimet përfiton më së shumti shëndeti juaj muskulor dhe skeletor, por ato mund të ju sjellin edhe dy përfitime të tjera të mëdha: ju ndihmojnë të parandaloni sëmundjet dhe të jetoni më gjatë. Tani ju mund ta dini se sa kohë duhet t’i shpenzoni në ushtrime, sipas një studimi të ri të botuar të hënën në British Journal of Sports Medicine.
Krahasuar me njerëzit që nuk bëjnë aktivitete për forcimin e muskujve, ata që bëjnë 30 deri në 60 minuta stërvitje me rezistencë, forcë ose peshë në javë, janë në një shkallë më të ulët të rrezikshmërisë (10% deri në 20%) për vdekje të hershme nga të gjitha shkaqet dhe për t’u përballur me sëmundje të zemrës, diabet apo kancer, zbuluan autorët e hulumtimit. Këto lloj ushtrimesh janë krijuar për të përmirësuar aftësinë muskulare duke ushtruar muskujt kundër rezistencës së jashtme, sipas Kolegjit Amerikan të Mjekësisë Sportive.
Kombinimi i 30 deri në 60 minuta ushtrime forcuese me çdo sasi aktiviteti aerobik rrit përfitimin, duke rezultuar në një rrezik 40% më të ulët të vdekjes së parakohshme, një incidencë më të ulët të sëmundjeve të zemrës me 46% dhe një shans 28% më të ulët për të vdekur nga kanceri. Hulumtimi është gjithashtu i pari që shqyrton lidhjet afatgjata midis aktiviteteve të forcimit të muskujve dhe rrezikut të diabetit, thanë autorët.
“Shumë studime të mëparshme treguan një ndikim të favorshëm të ushtrimeve për forcimin e muskujve në sëmundjet jotransmetuese dhe rrezikun e vdekjes së hershme. Ne mund të prisnim gjetjet tona në njëfarë mase sepse ky studim ishte planifikuar të integronte gjetjet e mëparshme”, tha autori i parë i studimit, Haruki Momma, një pedagog në departamentin e mjekësisë dhe shkencës në sport dhe ushtrime në Universitetin Tohoku në Japoni, nëpërmjet email.
Hulumtimi i ri është një analizë e 16 studimeve të mëparshme, të cilat arritën në një grup të dhënash nga gati 480 mijë pjesëmarrës në studim. Ata ishin midis 18 dhe 98 vjeç dhe shumica ishin në Shtetet e Bashkuara. Pjesëmarrësit që ushtrojnë vazhdimisht iu përgjigjën pyetjeve gjatë intervistave.
“Metodat e studimit janë të shëndosha dhe gjetjet janë të rëndësishme, por jo befasuese për mua. 30 deri në 60 minuta në javë mbeten si një sasi e mundshme për shumicën e njerëzve dhe më bën të ndihem mirë për pesë deri në 15 minuta ushtrime të forcës që bëj çdo mëngjes”, tha Dr. William Roberts, një profesor në departamentin e mjekësisë familjare dhe shëndetit të komunitetit në Universitetin e Minesotës, nëpërmjet emailit. Ai nuk ishte i përfshirë në studim.
“Gjetjet janë lajm i shkëlqyeshëm për njerëzit që janë aktivë dhe lajm i madh për ata që janë joaktivë pasi ata mund të përmirësojnë shëndetin e tyre me një investim të vogël kohe”, shtoi Roberts.
Shënim i rëndësishëm: Nëse përjetoni dhimbje gjatë stërvitjes, ndaloni menjëherë. Vizitoni mjekun tuaj përpara se të filloni ndonjë program të ri ushtrimesh./UBTNews/