Sipas një studimi të ri që u krye në gjashtë vende evropiane, 38 për qind e punëtorëve janë në rrezik të lartë që të përballen me probleme të shëndetit mendor. Por çfarë mund të bëjnë organizatat për ta trajtuar këtë?
Në mes të inflacionit, krizës së kostos së jetesës dhe situatës së përgjithshme gjeopolitike, ka shumë arsye për t’u përballur me humor të zymtë. Por më shumë shqetësohemi për të ardhmen kur jemi në marrëdhënie pune.
Një sondazh i sapopublikuar nga një ofrues i shërbimeve shëndetësore, Telus Health, zbulon se shëndeti mendor i njerëzve në gjashtë vende evropiane është gjithnjë e më i rrezikuar.
Në përgjithësi, shëndeti mendor i punëtorëve ka rënë në katër vende – Gjermani, Itali, Holandë dhe Spanjë – deri në muajin tetor të vitit 2023 krahasuar me muajin prill, me 38 përqind të punëtorëve në përgjithësi që thonë se ishin në rrezik të lartë të shëndetit të dobët mendor.
Rezultatet e Indeksit të Shëndetit Mendor (MHI) në Francë dhe Poloni, nga ana tjetër, janë përmirësuar pak gjatë të njëjtës periudhë gjashtëmujore, por Polonia vazhdon të ketë rezultatin më të ulët me 55.5.
“Nga të dhëna të tjera, ne besojmë se ky është ndikimi i rritjes së ndjeshmërisë ndaj stresit pas pandemisë. Kjo ndjeshmëri e rritur bën më shumë gjasa që stresorët të kenë një ndikim më të madh negativ emocional”, tha për Euronews Next, Paula Allen, udhëheqëse globale dhe zëvendëspresidente e lartë për hulumtim dhe mirëqenie totale në Telus Health.
Sipas gjetjeve të studimit, 35 për qind e të anketuarve thanë se ishin më të ndjeshëm ndaj stresit sesa para se të fillonte pandemia COVID-19./UBTNews/