Brenda një dekade, rreth 39% e kohës së shpenzuar në punë shtëpiake dhe kujdes për më të dashurit mund të automatizohet, thonë ekspertët.
Studiuesit nga Britania e Madhe dhe Japonia kërkuan nga 65 ekspertë të inteligjencës artificiale (AI) të parashikojnë sasinë e automatizimit në punët e zakonshme shtëpiake në dhjetë vjet. Sipas ekspertëve, blerjet ushqimore ka gjasa që të automatizohen më së shumti, kurse kujdesi për të rinjtë dhe të moshuarit ka më pak gjasa të ndikohet nga inteligjenca artificiale (AI).
Ky studim u publikua në revistën PLOS ONE.
Studiuesit nga Universiteti i Oksfordit dhe ai Ochanomizu në Japoni deshën të dinë mbi impaktin që mund të kenë robotët në punët që kryhen pa pagesë: “Nëse robotët do të na kryejnë punët, a do të hedhin edhe plehrat?”, pyetën ata.
Robotët “për punë shtëpiake”, sikurse fshesat me korrent robotik “janë më të prodhuarit dhe më të shiturit në botë”, sipas studiuesve.
Ekipi intervistoi 29 ekspertë të AI-së nga Britania e Madhe dhe 36 ekspertë nga Japonia lidhur me parashikimet e tyre mbi robotët shtëpiakë. Studiuesit thanë se ekspertët meshkuj në Mbretërinë e Bashkuar ishin optimistë për automatizimin e brendshëm në krahasim me ekspertet femra, një situatë që është krejtësisht e kundërt në Japoni./UBTNews/