UBT News

Studim: Rastet me COVID-19 në Kinë arrijnë në 900 milionë

Diku 900 milionë njerëz në Kinë janë infektuar me koronavirus deri më datën 11 janar të këtij viti, sipas një studimi të publikuar nga Universiteti i Pekinit. Studimi thotë se 64% e popullsisë së vendit u infektua me këtë virus.

Studimi rendit provincën Gansu në krye, ku 91% e njerëzve raportohet të jenë të infektuar, e ndjekur nga Yunnan, (84%) dhe Qinghai (80%).

Një epidemiolog i lartë kinez paralajmëroi gjithashtu se rastet do të rriten në vendet rurale në Kinë gjatë vitit të ri hënor.

Kulmi i valës së COVID-19 në Kinë pritet të zgjasë dy deri në tre muaj, shtoi Zeng Guang, ish-kreu i Qendrës Kineze për Kontrollin e Sëmundjeve.

Qindra miliona kinezë po udhëtojnë në vendlindjet e tyre, shumica për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, para vitit të ri hënor më 23 janar.

Kina nuk po publikon më statistikat ditore rreth COVID-19 qëkur hoqi dorë nga politika zero-COVID. Por spitalet në qytetet e mëdha, ku objektet e kujdesit shëndetësor janë më të mira dhe më lehtë të qasshme, janë mbushur me pacientë të infektuar me COVID-19 pasiqë virusi është përhapur në të gjithë vendin.

Në një event që u mbajt në fillim të këtij muaji, Zeng tha se është “koha për t’u fokusuar në zonat rurale”. Shumë të moshuar, të sëmurë dhe invalidë në fshat tashmë po mbesin pas sa i përket trajtimit për COVID-19./UBTNews/

Exit mobile version