UBT News

Studim: Një shëtitje e gjatë është më e efektshme për zemrën se disa të shkurtra

Një studim i publikuar në revistën “Annals of Internal Medicine” tregon se një shëtitje e vetme, por më e gjatë, është shumë më e dobishme për zemrën sesa disa shëtitje të shkurtra, veçanërisht për ata që nuk ushtrojnë rregullisht, raporton BBC.

Sipas hulumtimit, ecja pa ndalur për të paktën 15 minuta është ideale për të stimuluar zemrën dhe për të përfituar një “ushtrim kardio” efektiv.

Numri i famshëm prej 10,000 hapash në ditë nuk bazohet në kërkime shkencore, por në një reklamë japoneze. Ekspertët theksojnë se sa më shumë të ecësh, aq më mirë për shëndetin.

Çfarë tregoi studimi?

Studiuesit analizuan të dhënat e 33,560 të rriturve në Britani, moshë 40–79 vjeç, që bënin më pak se 8,000 hapa në ditë.

Ata u ndanë në grupe sipas kohëzgjatjes së ecjeve gjatë javës:

Më pak se 5 minuta – 43%

5–10 minuta – 33.5%

10–15 minuta – 15.5%

15 minuta ose më shumë – 8%

Pas tetë vjetësh, u vërejt se personat që ecnin në periudha më të gjata kishin rrezik të ulët për sëmundje të zemrës krahasuar me ata që bënin ecje të shkurtra.

Edhe ata që ishin shumë pak aktivë (më pak se 5,000 hapa në ditë) përfitonin nga një shëtitje më e gjatë. Rezultatet mbetën të qëndrueshme edhe pas marrjes parasysh të faktorëve si duhanpirja, pesha e tepërt dhe nivelet e yndyrës së dëmshme në gjak.

Si të ecim për shëndetin e zemrës?

Profesori Emmanuel Stamatakis, bashkautor i studimit tha: “Shpesh fokusohemi vetëm tek numri i hapave apo sasia totale e ecjes, harrojmë rëndësinë e mënyrës së ecjes. Ky studim tregon se edhe njerëzit pak aktivë mund të përmirësojnë shëndetin e zemrës duke ecur gjatë njëherësh, idealisht 10–15 minuta.”

Eksperti britanik Kevin McConway shton se studimi tregon lidhjen mes ecjes dhe shëndetit të zemrës, por nuk provon shkakësinë direkte.

Sa duhet të ecim?

Sipas udhëzimeve të NHS, të rriturit duhet të bëjnë 150 minuta aktivitet të moderuar në javë, të shpërndara përgjatë ditëve. Personat mbi 65 vjeç këshillohen të lëvizin çdo ditë, edhe me aktivitet të lehtë brenda shtëpisë.

Emily McGrath, infermiere e lartë në Fondacionin Britanik të Zemrës, thekson:“Ushtrimi ndihmon çdo njeri të jetojë më gjatë, më lumtur dhe më shëndetshëm. Për ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, aktiviteti fizik ndihmon menaxhimin e gjendjes dhe përmirëson mirëqenien. Në fillim mund të duket e vështirë, por trupi përshtatet, dhe çdo përpjekje e vogël ka vlerë.” /A.Z/UBT News/

Exit mobile version