Temperaturat e larta mund të çojnë në rritje të gjuhës së urrejtjes në internet, sipas një studimi të ri.
Një analizë statistikore e më shumë se katër miliardë postimeve në Twitter zbuloi se temperaturat mbi 30 gradë Celsius çojnë në rritje të urrejtjes në internet nëpër zonat klimatike. Faktorë tjerë janë edhe dallimet socio-ekonomike, sikurse të ardhurat dhe preferencat politike. Por nuk janë vetëm temperaturat e larta ato që vlojnë gjakun e fanatikëve. Edhe temperaturat nën 12 gradë Celsius thuhet se rrisin numrin e përmbajtjeve të urrejtjes në Twitter.
Sipas studimit të publikuar në The Lancet Planetary Health, dhe që u bazua në postimet e përdoruesve të Twitterit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, temperaturat nën 12 gradë dhe mbi 21 gradë nxisin rritjen e sjelljes agresive.
Numër më i vogël i përmbajtjeve të urrejtjes u regjistrua në temperaturat ndërmjet 15 dhe 18°C. Temperaturat mbi 30°C konsistonin me rritje të përmbajtjes së urrejtjes në internet.
Autorët thonë se kjo mund të ketë implikime shqetësuese për ndryshimet klimatike, pasi ne mund të përballemi me ngjarje më ekstreme të motit dhe përgjithësisht me temperatura më të larta.
A i prek edhe evropianët?
Edhe një studim tjetër i vitit 2021 i realizuar me evropianë solli gjetje të ngjashme. U analizuan më shumë se 10 milionë postime raciste nga gjashtë vende të ndryshme, në zona të ndryshme klimatike midis viteve 2012 dhe 2018.
Duke studiuar të dhënat e temperaturave ditore në përputhje me postimet në Twitter, studiuesit hasën në postime më pak raciste gjatë temperaturave midis 5 dhe 11 ° C – temperatura me të cilat njerëzit janë mësuar më shumë.
Kësisoj ngritja apo ulja e temperaturave u shoqërua me rritje të abuzimit racist në internet./UBTNews/