Një studim i ri sugjeron se konsumimi i madh i pijeve të ëmbla mund të lidhet me rrezik më të lartë për rënien e flokëve.
Dieta dhe ushqimi luajnë rol në shëndetin e flokëve, veçanërisht marrja e mjaftueshme e vitaminës D dhe hekurit, ndërsa kufizimi i alkoolit e pijeve të gazuara mund të jetë i dobishëm, shkruajnë studiuesit nga Universidade do Porto në Portugali, raporton The Independent.
Këto përfundime bazohen në të dhëna të mbledhura, sipas të cilave konsumimi i pijeve të ëmbla lidhet me rrezik më të lartë të rënies së flokëve, sidomos te burrat. Inflamacioni i shkaktuar nga sheqernat e thjeshta shihet si një nga faktorët që kontribuon në këtë dukuri.
Një studim i vitit 2023 nga Universiteti Tsinghua tregoi se konsumimi i 11 kënaçeve pije të ëmbla në javë (mbi 3,500 ml) rrit rrezikun e rënies së flokëve te burrat. Autorët theksuan se të dhënat ishin të vetëraportuara nga 1,028 pjesëmarrës, ishte e vështirë të përcaktohej një lidhje shkakësore direkte.
Studimet tjera e kanë përforcuar këtë lidhje. Një kërkim i vitit 2016 tregoi se ushqimet e përpunuara me sheqerna të thjeshta mund të jenë faktor indirekt i lidhur me rënien e flokëve, pasi rrisin prodhimin e sebumit — substancë yndyrore që hidraton skalpin dhe flokët.
Teprica e sebumit krijon kushte për shumimin e baktereve, duke shkaktuar inflamacion dhe irritim që kontribuojnë në humbjen e flokëve.
Studiuesit sugjerojnë se ndërhyrjet në mënyrën e ushqyerjes janë të rëndësishme për parandalimin e menaxhimin e alopecisë e rënies së flokëve, theksojnë se nevojiten studime për të kuptuar këto lidhje dhe për të dhënë udhëzime të bazuara në prova për shëndetin e flokëve.
Rënia e flokëve lidhet me alopecinë androgjenetike, e njohur ndryshe si tullaci e trashëguar, që prek si burrat, ashtu edhe gratë.
Sipas Mayo Clinic, ekzistojnë trajtime efektive, duke përfshirë medikamentet si Propecia për burrat dhe Rogaine për të dy gjinitë, si dhe ndërhyrjet kirurgjikale. Në disa raste, flokët mund të rriten përsëri edhe pa trajtim.
Marrja e mjaftueshme e vitaminës D lidhet me uljen e ashpërsisë së alopecisë e përmirësimin e rritjes së flokëve. /A.Z/UBT News/
