UBT News

Studim: Koha që kalojnë fëmijët para ekranit mund të ketë ndikim negativ në arritjet e tyre akademike

Koha që kalojnë fëmijët para ekranit mund të dëmtojë arritjet e tyre akademike dhe mirëqenien emocionale më vonë, thotë një studim i ri.

Sipas studiuesve, koha e gjatë që kalohet para ekranit gjatë foshnjërisë lidhet me funksionimin e dobët ekzekutiv kur fëmijët janë në moshën 9-vjeçare.

Aftësitë e funksionimit ekzekutiv janë procese mendore që “na mundësojnë të planifikojmë, të përqendrojmë vëmendjen, të kujtojmë udhëzimet dhe t’i përmbushim me sukses detyrat e shumta”, sipas Qendrës së Universitetit të Harvardit për Fëmijët në Zhvillim.

Sipas studimit, këto aftësi të funksionimit ekzekutiv janë të rëndësishme për njohjen e nivelit më të lartë, si rregullimi emocional, të mësuarit, arritjet akademike dhe shëndeti mendor. Ato ndikojnë në suksesin tonë social, akademik, profesional dhe në mënyrën se si ne kujdesemi për veten, tha Dr. Erika Chiappini, asistente profesoreshë e psikiatrisë dhe shkencave të sjelljes në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins në Baltimore.

“Megjithëse këto procese njohëse zhvillohen natyrshëm nga foshnjëria deri në moshën madhore, ato gjithashtu ndikohen nga përvojat që kemi dhe gjatë fazës kur zhvillohemi”, tha ajo.

Rezultatet mbështesin rekomandimet nga Akademia Amerikane e Pediatrisë, e cila rekomandon mospërdorimin e ekranit para moshës 18-muajshe, me përjashtim të bisedave me video, tha Dr.Joyce Harrison, profesor i asociuar i psikiatrisë dhe shkencave të sjelljes në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Johns Hopkins.

Studimi analizoi të dhënat nga Growing Up në Singapor. Në këtë studim u anketuan gratë nga të gjitha sfondet socio-ekonomike gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë. Mostra përbëhej nga 437 fëmijë që iu nënshtruan skanimeve të elektroencefalografisë (EEG), të cilat përdoren për të parë rrugët nervore të funksioneve njohëse në tru, në moshën 1, 18 muajsh dhe 9 vjeç./UBTNews/

Exit mobile version