UBT News

Studim i ri: Mikroplastikat lidhen me dobësimin e kockave

Mikroplastikat janë bërë tashmë kaq të pranishme në jetën tonë sa që i pimë, i hamë dhe i thithim çdo ditë. Si rezultat, ato janë gjetur në jashtëqitje, në placenta, në organet riprodhuese dhe madje edhe në tru.

Sipas Science Alert, këto grimca mikroskopike, të cilat vijnë nga përpunimi i lëndëve djegëse fosile, tashmë janë zbuluar edhe në eshtrat e njeriut. Një rishikim i 62 studimeve ka treguar se mikroplastikat dhe nanoplastikat ndikojnë në shëndetin e kockave në disa forma.

“Një pjesë e madhe e provave sugjeron se këto grimca depërtojnë deri në indet më të thella të kockave, përfshirë palcën, dhe potencialisht prishin metabolizmin”, shpjegon Rodrigo Bueno de Oliveira, shkencëtar mjekësor në Universitetin Shtetëror të Kampinas, Brazil.

Studimet te njerëzit kanë treguar se grimcat plastike arrijnë në kocka përmes gjakut pasi gëlltiten, eksperimentet te kafshët sugjerojnë se ato ngadalësojnë rritjen e kockave. Dëmtimi i osteoklasteve, qelizave që ndihmojnë në rritjen dhe riparimin e kockave – dobëson strukturën e tyre dhe i bën më të ndjeshme ndaj frakturave dhe deformimeve.

Analizat e thelluara kanë treguar se mikroplastikat ulin qëndrueshmërinë qelizore, përshpejtojnë procesin e plakjes e nxisin inflamacionin.

Edhe pse efektet te njerëzit nuk janë të konfirmuara, ekspertët paralajmërojnë se rritja globale e rasteve të osteoporozës mund të ketë lidhje edhe me praninë e mikroplastikave, përveç faktorëve të njohur si mosha apo përdorimi i alkoolit.

Rreziku është në rritje çdo vit prodhohen mbi 400 milionë tonë plastikë, duke gjeneruar 1.8 miliardë tonë gazra serrë, shkencëtarët kërkojnë më shumë mbështetje për të studiuar ndikimet e mikroplastikave në trupin e njeriut.

Ndërkohë, ekspertët sugjerojnë disa hapa praktikë për të ulur ekspozimin: filtrimi i ujit të pijshëm dhe kufizimi i përdorimit të produkteve plastike, si shishet plastike apo veshjet sintetike. Studimi është publikuar në revistën Osteoporosis International. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version