Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore JAMA Network Open tregon se anemia te personat mbi moshën 60 vjeç mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e demencës.
Sipas studimit, personat me anemi kanë rreth 66 për qind më shumë gjasa të preken nga demenca krahasuar me ata pa këtë gjendje. Anemia është një gjendje shëndetësore ku trupi nuk prodhon mjaftueshëm hemoglobinë, proteinë që transporton oksigjenin në inde dhe organe, dhe zakonisht shoqërohet me lodhje, zbehje të lëkurës dhe vështirësi në frymëmarrje.
Studimi, i raportuar edhe nga MedicalXpress, është realizuar nga studiues në Suedi dhe Itali, të cilët kanë ndjekur për më shumë se një dekadë 2,282 persona mbi moshën 60 vjeç në Stokholm, të cilët fillimisht nuk kishin demencë.
Në fillim të hulumtimit, pjesëmarrësve u janë matur nivelet e hemoglobinës dhe disa biomarkerë në gjak të lidhur me sëmundjet neurodegjenerative. Më pas, gjendja e tyre shëndetësore është monitoruar çdo 3 deri në 6 vjet.
Pas periudhës së ndjekjes, 362 pjesëmarrës u diagnostikuan me demencë. Të dhënat treguan gjithashtu një lidhje mes nivelit të ulët të hemoglobinës dhe rritjes së disa proteinave që lidhen me Alzheimerin, përfshirë p-tau217, NfL dhe GFAP, të cilat tregojnë dëmtim të qelizave të trurit dhe inflamacion.
Sipas studiuesve, një nga shpjegimet kryesore është se mungesa e oksigjenit në tru, si pasojë e anemisë, mund të dëmtojë qelizat nervore dhe të ndikojë në rënien e funksioneve njohëse me kalimin e kohës.
Ekspertët theksojnë se anemia prek rreth një në dhjetë persona mbi 65 vjeç dhe mund të jetë një faktor i rëndësishëm rreziku për demencën, por gjithashtu një gjendje që mund të trajtohet.
Megjithatë, ata nënvizojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar nëse trajtimi i hershëm i anemisë mund të ndihmojë në parandalimin e demencës.
