Njerëzit që jetojnë në zona me ajër shumë të ndotur janë më të rrezikuar ndaj depresionit dhe ankthit sesa ata që jetojnë në ajër të pastër, thotë studimi i ri.
Studimi që u publikua në JAMA Psychiatry, thotë se njerëzit që ishin të ekspozuar ndaj sasive më të larta të ndotësve të shumtë të ajrit për një periudhë të gjatë, përfshirë këtu ndotjen nga grimcat, dioksidi i azotit dhe oksidet e azotit, janë më të predispozuar ndaj depresionit dhe ankthit.
Ndotja e grimcave është përzierja e pikave të ngurta dhe të lëngshme që notojnë në ajër, thotë Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo mund të vijë në formën e papastërtisë, pluhurit, blozës ose tymit. Termocentralet me qymyr dhe gaz natyror e krijojnë atë, ashtu si makinat, bujqësia, rrugët e paasfaltuara, kantieret e ndërtimit dhe zjarret.
Ndotja e dioksidit të azotit kryesisht lidhet me nënproduktet e djegies që vijnë nga trafiku. Si pasojë e trafikut çlirohet edhe oksidet e azotit, sikurse djegia e naftës, qymyrit dhe gazit natyror.
Grimcat më të vogla të përfshira në studimin e ri, PM2.5, janë aq të vogla – 1/20 e gjerësisë së flokut të njeriut, saqë mund të kalojnë mbrojtjen e zakonshme të trupit tuaj.
Në vend që të liroheni nga ato kur merrni frymë, këto grimca mund të ngecin në mushkëri ose të pengojnë qarkullimin e gjakut. Grimcat shkaktojnë acarim dhe inflamacion dhe mund të çojnë në probleme të frymëmarrjes. Ekspozimi mund të shkaktojë kancer, goditje në tru ose sulm në zemër; gjithashtu mund të përkeqësojë astmën, e cila shoqërohet me një rrezik më të lartë të depresionit dhe ankthit.
Studiuesit morën të dhënat e 389 mijë e 185 njerëzve nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë periudhës së studimit, 13 mijë e 131 prej tyre u diagnostikuan me depresion dhe 15 mijë e 835 me ankth./UBTNews/