Dy kafka që datojnë nga Egjipti i Lashtë dhe të ruajtura në Universitetin e Kembrixhit mbajnë shenjat më të hershme të njohura të trajtimit të kancerit.
Në një studim të ri të publikuar në revistën shkencore Frontiers in Medicine thuhet se prerjet e holla të një prej mbetjeve që datojnë rreth 4 mijë vjet më parë mund të jenë ose shenja të një operacioni për të hequr kancerin ose një “eksplorim mjekësor pas vdekjes”.
Kafka mendohet se i përkiste një burri 30 deri në 35 vjeç që jetonte midis viteve 2686 dhe 2345 PES, afërsisht në të njëjtën kohë kur u ndërtua Piramida e Madhe e Gizës.
Mbetjet tjera besohet të jenë mes viteve 664 dhe 343 PES dhe i përkisnin një gruaje mbi 50 vjeç, e cila i mbijetoi një frakture të kafkës dhe pësoi tumor. Edhe këtë kafkë e përfshinë shkencëtarët në studimin e tyre, sepse ajo dëshmonte kujdesin që egjiptianët ishin në gjendje të ofronin për të lënduarit ose të sëmurët.
Ekipi zbuloi shenjat dhe analizoi kafkën e dytë duke përdorur mikroskop 3D me rezolucion të lartë./UBTNews/