UBT News

Studim: A e pastrojnë ajrin lulet që mbajmë brenda shtëpive apo zyrave?

Mbajtja në ambientet e brendshme e luleve dhe bimëve të tjera, është një praktikë tepër popullore vitet e fundit.

Por a e pastrojnë ajrin këto bimë dhe në çfarë mase? Që nga fillimi i pandemisë së Covid-19 , ka pasur një fokus më të madh mbi rëndësinë e cilësisë së ajrit të brendshëm, pasi shumë nga ne kanë kaluar shumë kohë brenda.

Për më tepër, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në SHBA (EPA), raporton se amerikanët kalojnë deri në 90 për qind të kohës së tyre në ambiente të mbyllura, ku nivelet e ndotësve mund të jenë deri në 5 herë më të larta sesa në ajrin e jashtëm.

Kjo është një nga arsyet, pse është thelbësore të sigurohemi që ajri që thithim brenda të jetë sa më i pastër që të jetë e mundur. Lulet dhe bimët që kultivojmë në shtëpisë, reklamohen shpesh si pastruese të ajrit. Por a është e vërtetë kjo gjë?

Siç mund ta dini tashmë, cilësia e ajrit në përgjithësi, varet nga niveli i dioksidit i karbonit , monoksidi i karbonit, oksidi i azotit, si dhe komponimet organike të paqëndrueshme (VOC), të cilat mund të ekzistojnë në disa nga produktet dhe materiale brenda shtëpive tona.

Nëpërmjet procesit të fotosintezës , bimët e konvertojnë dioksidin e karbonit që ne nxjerrim përmes frymëmarrjes, dhe largojnë gazrat e dëmshëm nga ajri përmes një procesi të quajtur përthithje.

Në një raport të NASA-s të vitit 1989 , shkencëtari Bill Uollverton pohoi se bimët shtëpiake mund të ofrojnë një “zgjidhje ekonomike premtuese për zvogëlimin e ndotjes së ajrit të brendshëm”. Ai studioi aftësinë e bimëve për të hequr komponimet organike të paqëndrueshme nga mjedisi, dhe potencialin e tyre për t’u përdorur në misionet hapësinore. Por kërkimet më të fundit nuk janë aq entuziaste mbi këtë ide.

Shkencëtarët që studiojnë efektivitetin e bimëve në ambientet e brendshme për heqjen pasive të ozonit, zbuluan se këto të fundit japin “në rastin më të mirë, një kontribut modest prej rreth 0.9-9 për qind në zhdukjen e gazrave të dëmshëm”, raportuan ata në një studim të viti 2017, të botuar në revistën “Building and Environment”.

Që të ketë një ndryshim domethënës në cilësinë e ajrit të shtëpisë tuaj, do t’ju duhet të mbushni me lule gjithë dhomën, dhe nga lart poshtë. Në një studim të botuar në vitin 2020 në ‘Journal of Environmental Management”, shkencëtarët arritën në përfundimin se një mur i gjelbër i mbushur me specie të përshtatshme bimore “mund të përdoret për të përmirësuar indeksin e shëndetit në mjediset e brendshme të një godine”.

Pra në sasi shumë të larta, bimët mund ta përmirësojnë cilësinë e ajrit. Por çfarë duhet të blejmë? Mjerisht, shkenca nuk ka një përgjigje për këtë, pasi deri tani ka pak kërkime se cilat specie janë më efektive. Ndotësit më të zakonshëm, të dëmshëm që gjenden në ambiente të mbyllura përfshijnë trikloroetilenin, formaldehidin, benzenin, ksilenin dhe amoniakun.

Në përqendrime të larta, këta 5 ndotës mund të shkaktojnë marramendje, dhimbje koke dhe acarim në hundë, gojë, fyt, si dhe dëmtim të mëlçisë dhe veshkave.

Rezultatet e studimit të NASA-s treguan dy bimë që janë shumë efektive në reduktimin e niveleve të këtyre 5 ndotësve nga ambientet e brendshme. Këto janë zambakët e paqes (Spatiphyllum Mauna Loa) dhe krizantemat (Chrysanthemum morifolium).

Ndërkohë një studim i fundit nga Universiteti i Prinstonit zbulon se kopshtaria është e dobishme për shëndetin fizik dhe mendor. Edhe një studim tjetër i cituar në “Journal Physiological Anthropology” që përfshinte meshkuj të rritur, zbuloi se kopshtaria në ambiente të mbyllura redukton ndjeshëm nivelet e stresit. / Livescience – Bota.al

Exit mobile version