Studentja e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Rina Latifi, përmes bursës së fituar po vazhdon studimet e nivelit master në Universitetin “Hochschule Anhalt” në qytetin Desau të Gjermanisë.
Pas përfundimit të studimeve në nivelin bachelor në drejtimin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Rina për një periudhë dyvjeçare ka punuar në kompaninë projektuese dhe ndërtimore “HProjekt” në Komunën e Gjilanit, si dhe ka qenë e angazhuar në projektin ideor për rigjenerimin urban të qendrës së Gjilanit.
Sipas studentes Rina Latifi, studimet në UBT i kanë mundësuar ngritjen në aspektin profesional dhe akademik, për shkak të përvojave të ndryshme që ka arritur t’i ketë përmes punëtorive dhe punës praktike që ofrohen në kuadër të Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor.
“Në UBT përveç studimeve na është ofruar edhe punë praktike dhe punëtori të shumta, të cilat janë zhvilluar në intervale të ndryshme kohore dhe kemi pasur rastin të punojmë me profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, për të thelluar njohuritë tona rreth fushës së arkitekturës, por edhe për të mësuar nga përvojat e tyre”, ka thënë Latifi.
Sikurse Rina, edhe shumë studentë dhe ish-studentë të UBT-së, po vazhdojnë studimet në nivelin master në universitetet më prestigjioze në botë përmes bursave të ndryshme, duke dëshmuar kështu arritjet profesionale dhe akademike të fituara në UBT.