Studentja e vitit të tretë në Fakultetin Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, Diellëza Avdyli, është punësuar në Open Data Kosovo në cilësinë e Software Developer.
Ajo aktualisht është duke punuar dhe duke zhvilluar zgjidhje digjitale për projekte sociale, si dhe është duke mbajtur trajnime në mënyrë që të ndihmojë në ndërtimin e një komuniteti për përdorimin e teknologjive dhe zhvillimin e aplikacioneve.
“Studimet në UBT më kanë mundësuar që të zhvillojë dhe të demonstroj njohuri dhe mirëkuptim, shkathtësi dhe atribute të shumta në këtë fushë. Puna e palodhshme dhe angazhimi i pakusht i profesorëve tanë është për t’u admiruar”, tha Diellëza.
Diellëza theksoi se duke u nisur nga fakti se UBT po ofron shkollën më të madhe në Kosovë dhe rajon të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinieri, si dhe duke pasur gjithmonë në qendër të vëmendjes zhvillimin e të rinjve, ka arritur që studentët e këtij institucioni të formohen si personalitet dhe të bëhen profesionistë në tregun e punës.
Fakulteti Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, është një prej fakulteteve më cilësore në Evropën Juglindore, që ka nxjerrë profesionistë dhe ekspertë të shumtë të fushës së shkencave kompjuterike, duke e bërë Kosovën përmes UBT-së qendër të nxjerrjes së kuadrove profesionale nga kjo lëmi.