Një mundësi e re për t’u zhvilluar edhe më shumë për nga aspekti akademik, si dhe për të njohur kultura të reja i është bërë realitet studentit të Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Art Luri.
Përmes partneriteteve të shumta që ka UBT me universitetet më të njohura evropiane, studenti i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Art Luri do të vazhdojë studimet në nivelin master në Anhalt University of Applied Sciences, të Gjermanisë.
Përkrahja që i dha atij UBT për të vazhduar tutje në rrugëtimin e tij profesional ishte e madhe, dhe për këtë falë edhe profesionistëve të arkitekturës që janë në UBT, Arti ka arritur që të vazhdoj studimet në njërin prej institucioneve më me emër të Gjermanisë.
“Studimet akademike ishin sfiduese po aq sa edhe një eksperiencë shumë e bukur nën epitetin e të qenurit student, si periudha më e mirë e fillimit të karrierës sime. Zgjodha UBT-në për shkak të qasjes kualitative ndaj problematikave të zhvillimit akademik si dhe mundësive të shumta që studimet e mëtejme t’i vazhdoj në universitetet me famë ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Cilësia e lartë që ofron UBT, si dhe kushtet moderne për studimet akademike me praktika të njohura ndërkombëtare, janë shpërblyer me diplomë që njihet ndërkombëtarisht, dhe në saje të kësaj studentët e UBT-së nuk po hasin në probleme me nostrifikimin e diplomës.
“Procedurat e njohjes së diplomës nuk ishin të vështira për shkak se për fat të mirë tashmë diplomat e UBT-së janë të njohura ndërkombëtarisht. UBT më ka ofruar një mundësi që me angazhimin tim t’i hap vetës një dritare duke i tejkaluar kufijtë e shtetit tonë për të depërtuar në shtetet e zhvilluara të perëndimit”, ka thënë studenti i Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, Art Luri.
UBT përmes bashkëpunimeve me universitete prestigjioze ndërkombëtare, studentëve të saj po u ofron një mundësi unike në njohjen e kulturave të reja, praktikave të ndryshme të mësimit, si dhe njohjen e profesionit nga këndvështrime të ndryshme të ekspertëve ndërkombëtarë.