UBT News

Studentët protestues serbë vazhdojnë marshimin drejt Novi Sadit

Studentët serbë, të cilët filluan marshimin e tyre protestues nga Beogradi më 30 janar, janë duke vazhduar rrugëtimin e tyre në drejtim të Novi Sadit. Pas kalimit të natës në Ingjije, rreth 40 kilometra nga kryeqyteti, ata do të bashkohen me kolegët e tyre nga Novi Sadi, ku planifikojnë të bllokojnë urat më 1 shkurt, për të shënuar tremujorin e tragjedisë që i mori jetën 15 personave në stacionin e trenave të qytetit më 1 nëntor 2024, pas shembjes së një strehe betoni.

Marshi i studentëve, që ka filluar në mëngjesin e 30 janarit afër Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd, ka kaluar tashmë nëpër disa qytete si Batajnicë, Bova dhe Stara Pazova, ku janë pritur nga qytetarët dhe kanë vazhduar rrugën e tyre, duke arritur në Ingjije rreth orës 22:00. Atje, ata kaluan natën në tenda të ngritura në një fushë sporti, duke vazhduar marshimin e tyre për në Novi Sad, ku pritet të mbërrijnë pasdite, rreth orës 19:00.

Kërkesa kryesore e studentëve ka qenë që të mbajnë përgjegjësi penale dhe politike autoritetet për aksidentin tragjik, ndërsa qeveria dhe presidenti Aleksandar Vučić janë shprehur se kërkesat e studentëve janë përmbushur, një pretendim që protestuesit e refuzojnë. Protestat kanë shpërthyer pas tragjedisë në Novi Sad, duke nxitur dhjetëra mijëra qytetarë të dalin në rrugë, ndërsa studentët janë udhëheqësit kryesorë të kësaj lëvizjeje.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka deklaruar se forcat e rendit do të ofrojnë siguri për marshin e studentëve dhe do t’i ndihmojnë ata me autoambulanca dhe kamionë me ujë të pijshëm. Pas dy muajsh protestash të vazhdueshme, që kanë bllokuar disa universitete shtetërore, studentët kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen derisa të marrin përgjigje të kënaqshme për kërkesat e tyre dhe të sigurojnë ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës për tragjedinë në Novi Sad.

Në përpjekjen për të mbajtur presionin ndaj autoriteteve, protestuesit kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të organizojnë bllokada dhe marshime derisa të realizohen ndryshimet që kërkojnë. Protestat studentore janë bërë një prej lëvizjeve më të fuqishme të opozitës ndaj qeverisë, duke pasur një mbështetje të gjerë nga pjesë të ndryshme të shoqërisë serbe.

 

Exit mobile version