UBT News

Studentët protestojnë para Rektoratit të UP-së, kërkojnë nga Hajrullahu të tërheqë deklaratat

Studentë të Universitetit të Prishtinës janë mbledhur para Rektoratit për të kundërshtuar një email të rektorit Arben Hajrullahu, i cili, sipas tyre, përmban kërcënime dhe presion ndaj studentëve.

Rektori Hajrullahu ka dalë në oborrin e Rektoratit dhe u ka kërkuar protestuesve të hyjnë brenda për të diskutuar. Megjithatë, studentët kanë kërkuar që ai fillimisht t’i tërheqë deklaratat e bëra.

Gjatë përplasjes verbale, Hajrullahu i ka kërkuar Policisë që të mos hyjë në oborrin e Rektoratit.

“Policia nuk ka çka kërkon në tokën e Universitetit, universiteti është i yni”, ka deklaruar ai.

Studentët i kanë thënë rektorit se i ka krahasuar me regjimin serb, ndërsa e kanë pyetur nëse ftesa e tij për bisedë ka ardhur me vonesë.

Flon Kastrati nga Parlamenti Studentor ka deklaruar se protestat nuk do të ndalen derisa Hajrullahu t’i tërheqë deklaratat ose të kërkohet shkarkimi i tij.

Parlamenti Studentor i ka cilësuar të papranueshme kërcënimet dhe presionet, duke vlerësuar se veprime të tilla cenojnë sigurinë e studentëve, lirinë e shprehjes dhe mjedisin akademik.

Protesta lidhet me një email të dërguar nga rektori pas kërkesës së Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë për zëvendësimin e sistemit të evidentimit të vijueshmërisë përmes QR kodeve me teknologjinë NFC.

Në emailin e tij, Hajrullahu kishte paralajmëruar se bojkotimi eventual i ligjëratave dhe ushtrimeve mund të sjellë pasoja për studentët, përfshirë përsëritjen e vitit apo humbjen e së drejtës për të qenë pjesë e UP-së. Ai kishte përmendur edhe masa ndaj personelit akademik, të cilat mund të përfshijnë ndalesa financiare dhe deri në shkëputje të kontratës së punës./A.K/

Exit mobile version