Në kuadër të programit të studimeve Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, studentët e specializimeve në Teknologji Ushqimore, Nutricion dhe Menaxhim me Cilësinë dhe Sigurinë Ushqimore në UBT, realizuan një vizitë praktike në disa nga industritë më të njohura të sektorit ushqimor në Kosovë.
Vizita përfshiu disa ndërmarrje të rëndësishme si “ABI”, “M&Sillosi” dhe “Stone Castle Vineyards and Winery”, ku studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset e prodhimit dhe menaxhimin e cilësisë, si dhe me standardet e sigurisë ushqimore që këto kompani zbatojnë. Gjatë vizitave, ata u informuan mbi teknologjitë e përdorura në prodhimin e ushqimeve, praktikat më të mira në fushën e menaxhimit të cilësisë, si dhe masat e sigurisë që janë të nevojshme për të siguruar produkte ushqimore të sigurta për konsumatorët.
Kjo përvojë praktike ofroi mundësi të shkëlqyera për studentët për të kuptuar mënyrën se si teoritë dhe konceptet e mësuara në ambientin akademik aplikohen në mjedisin real të industrisë ushqimore. Vizita i ndihmoi ata të shohin përvojat dhe sfidat reale që hasin profesionistët e fushës dhe si mund të përgatiten më mirë për tregun e punës, duke zhvilluar aftësi dhe njohuri të nevojshme për t’u përballur me kërkesat e industrisë.
Programi i studimeve të UBT-së, i njohur për qasjen praktike dhe inovative në fushën e edukimit, vazhdon të ofrojë mundësi të shumta për zhvillim profesional për studentët. Vizita e fundit në industrinë ushqimore është një shembull tjetër i angazhimit të universitetit për të siguruar përvoja praktike dhe mundësi për të avancuar sektori ushqimor në vend.
UBT mbetet një institucion që kontribuon vazhdimisht në zhvillimin e të rinjve dhe avancimin e industrisë, duke i ofruar studentëve mundësinë të ndërtojnë karriera të suksesshme dhe të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës./UBTNews/