UBT News

Studentët e UBT-së u takuan me Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly

Në kuadër të eventit “Meeting Diplomats”, studentët e UBT-së, patën rastin të takonin Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, me të cilin diskutuan për tema të ndryshme që ndërlidhin kulturën, sistemin e arsimit dhe politikat publike në Zvicër dhe Kosovë.

Ambasadori Kolly duke vlerësuar organizimin e takimeve të tilla, theksoi se të rinjtë në këto dy vende duhet të punojnë shumë, të fokusohen në punë dhe angazhimet e tyre, si dhe të jenë më fleksibil.

“Ju duhet të punoni më shumë, të fokusoheni në punët dhe angazhimet tuaja, si dhe të jeni më fleksibil”, u shpreh Ambasadori Kolly.

Studentët u shprehën entuziast dhe aktiv, duke parashtruar pyetje nga më të ndryshmet, teksa ambasadori foli edhe për përvojën e tij si diplomat, por edhe rreth sistemit arsimor në Zvicër dhe atë çfarë ka parë në Kosovë.

“Sistemi i edukimit në Zvicër është mjaft i ndryshëm nga ai në Kosovë dhe vendet e rajonit të Ballkanit. Në Kosovë kam parë shumë shkolla që praktikojnë sistemin – profesori flet, nxënësi shkruan dhe dëgjon, teksa në Zvicër ky sistem i edukimit ka qenë në kohën kur unë kam qenë ndoshta nxënës, teksa sot është i ndryshëm, meqenëse nxënësit dhe studentët janë më sfidues me pyetje karshi profesorëve”, tha ai.

Ndër të tjera, në këtë takim me ambasadorin, studentët patën rastin të njihen edhe me gjërat që përfaqësojnë kulturën zvicerane, me literaturën dhe filmat, si dhe me kapacitetet e Zvicrës për zhvillimin e teknologjisë.

Exit mobile version