Në kuadër të projektit BKSTONE, studentët e UBT-së, së bashku me profesorin Hysen Ahmeti, kanë qëndruar për vizitë në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër.
Në këtë vizitë, e cila u zhvillua në kuadër të programit Erasmus+, studentët: Dionis Kollçaku, Arlinda Hoti, Mërgim Binaku, Saranda Xhafa, Atdhedon Avdyli dhe Eron Mekolli, patën mundësi që të zhvillojnë disa ligjërata tematike, duke mësuar më shumë për gurin si material ndërtimi dhe aplikimi në faza të ndryshme në ndërtim, si dhe për detaje të tjera që lidhen me të.
Përgjatë vizitës në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, ata patën mundësi që të marrin njohuri nga profesorët ndërkombëtarë, Santiago Lopez dhe Amador Ordonez, teksa diapazonin e njohurive e zgjeruan edhe me ligjëratat tematike të profesorëve nga Shqipëria, Albina Sinani, Joana Taci dhe Alban Shahu.
Ndër të tjera, studentët e UBT-së, së bashku me profesorin Hysen Ahmeti, zhvilluan një vizitë përreth qytetit të Gjirokastrës, duke studiuar mënyrën e zhvillim të arkitekturës së gurit në këtë qytet të Shqipërisë.
UBT është një nga universitetet partnere të projektit BKSTONE, projekt ky i cili adreson nevojat e vendeve të Ballkanit për edukim në lidhje me përdorimin e një burimi natyror si guri, i cili është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë në vendet e Mesdheut.