Studentët e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, falë bashkëpunimit dhe partneritetit që ka lidhur ky fakultet me Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin Trakia në qytetin Edrene të Turqisë, kanë marrë pjesë në punëtorinë ndërkombëtare dyjavore të organizuar nga ky universitet rreth trashëgimisë kulturore.
Studentët e UBT-së: Mumin Baftiu, Rina Jahaj, Syna Cikaj dhe Benila Marevci, patën mundësi të shohin nga afër dhe të eksplorojnë rrugët kulturore ndërkombëtare, kombëtare dhe urbane të qytetit të Edrenesë, njashtu edhe të kontribuojnë në përpilimin e projekteve dhe ideve rreth ruajtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore.
Studentja Syna Cikaj prezantoi njohuritë rreth platformës AVR, teksa zhvilloi modelin e njërës nga ndërtesat, të cilën njëherit edhe e ka dizajnuar, ndërsa studenti Mumin Baftiu përgatiti një prezantim ku shprehu përjetimin dhe mënyrën se si qëndrojnë rruga e kaltër (rruga e ujerave ku janë studiuar tre lumenj: Gala, Kavakkoy dhe Dadia) në raport me rrugën e gjelbër (migrimin e zogjve nëpër këto lumenj).
Ndër të tjera, studentja Rina Jahaj ka trajtuar problemin e lëvizjeve të njerëzve dhe qarkullimin e veturave duke klasifikuar rrugët njëkahëshe dhe rrugët dykahëshe, duke prezantuar modele nga vendet e tjera që e kanë tejkaluar këtë problem, si dhe studentja Benila Marevci ka trajtuar hapësirat publike, duke u bazuar në standardet dhe rregullativat për një zgjidhje më të lehtë të qasjes së idesë me kërkesat dhe trajtimin e problemeve.
Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit Trakia në Turqi, organizoi për herë të parë punëtorinë: “Amfiteatri i jashtëm i Edrenesë edukon arkitektët e së ardhmes, Punëtori e Trashëgimisë Kulturore” në vitin 2017, kurse këtë vit, tema e kësaj punëtorie ishte “Rrugët kulturore të Edrenesë”.
Pjesëmarrja e studentëve të Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, është e një rëndësie të veçantë, meqenëse dëshmon pozitivitetin që ka krijimi i partneriteteve me universitete ndërkombëtare, e që UBT e ka synim primar dhe kryesor, teksa edhe u jep mundësi shkëmbimit të ideve dhe mendimeve rreth çështjeve të caktuara.