Në kuadër të Konferencës së Katërt Studentore me temën “Transformimi digjital në kohen e sfidave”, e zhvilluar më 17 maj, dhe në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit dhe Shoqërisë së Informacionit, studentët e Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT kanë shënuar një pjesëmarrje të suksesshme me punimet e tyre shkencore.
Mergime Molliqaj, Ajsel Xheladini dhe Vjosa Salihu, përfaqësueset e UBT-së, trajtuan tema të rëndësishme rreth ndikimit të inteligjencës artificiale në vendet e punës, shëndetësi dhe inovacionin digjital për zhvillimin e qëndrueshëm. Punimet e tyre u vlerësuan lartë për analizën dhe qasjen inovative që ofruan.
Kjo konferencë, e cila mblodhi së bashku ekspertë dhe studentë nga fusha të ndryshme, është rezultat i një bashkëpunimi ndërmjet UBT-së, Universitetit Fan S. Noli, Institutit Kanadez të Teknologjisë, Albanian University dhe Kolegji Universitar Bedër. Kjo ngjarje jo vetëm që ofroi një platformë për diskutim mbi transformimin digjital në kohën e sfidave, por edhe inkurajoi shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të mira ndërmjet institucioneve arsimore dhe profesionistëve të fushës.