Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars, një grup studentësh të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, të udhëhequr nga Shqipe Shala dhe Kosovare Hamiti, së bashku me studentin e aktrimit Denis Arifi dhe dekanen e Fakultetit të Psikologjisë, Denis Celcima, organizuan një vizitë në Shtëpinë e të Moshuarve, një akt i mbushur me solidaritet dhe ndjeshmëri.
Aktiviteti i cili ka për qëllim nderimin dhe mbështetjen e individëve të moshuar që kanë dhënë një kontribut të çmuar në shoqëri, ishte një ngjarje që bashkoi energjinë rinore me përvojën dhe mençurinë e brezit të kaluar.
Pjesëmarrësit në këtë aktivitet sollën momente të bukura, duke realizuar aktivitete artistike, këngë dhe poezi, por mbi të gjitha, biseda të ngrohta që krijuan një lidhje të veçantë me ata që kishin kaluar një jetë plot mundime dhe përpjekje.
Ndërkohë, studentët e Gjimnazit në UBT kontribuan në këtë atmosferë me një program të pasur aktivitetesh dhe performancash, që përfshinte shfaqje teatrale, muzikë dhe lojëra ndërvepruese, duke e pasuruar kështu këtë ditë me ngjyra dhe emocione të veçanta.
Eventi përveç se ishte një mundësi për të shprehur mirënjohjen ndaj kontributit të gruas në shoqëri, ishte gjithashtu një shembull i bukur i solidaritetit ndërgjeneracional, ku brezat e rinj dhe ata të moshuar u bashkuan për të ndarë momente të paharrueshme. Kjo ngjarje, më shumë se një vizitë për të moshuarit, ishte një thirrje e fuqishme për të reflektuar mbi vlerat e bashkëjetesës, respektit dhe dashurisë për njëri-tjetrin.
Në këtë ditë të veçantë, u nderua jo vetëm gruaja, por gjithashtu edhe fuqia e saj për të formuar dhe shëndoshur shoqërinë nëpërmjet mundësive që ofron dashuria dhe angazhimi./UBTNews/